1 h «Efraimi më rrethon me rrena,
me mashtrime, shtëpia e Izraelit,
por Juda endet me Perëndinë,
me të Shenjtin është besniki».
Faji i Izraelit
2 «Efraimi kullot erën, ndjek tufanin,
tërë ditën shumon mashtrimin e dhunën.
Bën marrëveshje me Asirinë,
vajin në Egjipt e çon.
3 E padit Zoti Judën,
Jakobin e ndëshkon për udhët e tij
e veprat do t’ia shpërblejë.
4 Që në bark e kapi të vëllanë prej thembre,
me Perëndinë u ndesh kur u bë burrë.
5 U rrok me engjëllin e fitoi,
vajtoi e mëshirë kërkoi.
Në Betel Perëndia e gjeti
e me të atje foli.
6 Zot, Perëndia i ushtrive,
Zot është emri i tij.
7 Kthehu, pra, te Perëndia yt,
mbaje mirësinë e drejtësinë
e prit gjithmonë për Perëndinë tënd.
8 Tregtarj me peshore që rren në dorë,
mashtrimin dëshiron.
9 Por Efraimi thotë:
“U bëra pasanik,
pasuri gjeta për vete.
E në asnjë prej punëve të mia,
s’do të gjendet faj a mëkat”.
10 Por unë, Zoti, jam Perëndia yt,
që në tokën e Egjiptit.
Do të të vendos sërish në tendë,
si në ditët e të kremtes.
11 Unë u fola profetëve,
vegimet i shumova unë.
Me shëmbëlltyra fola përmes tyre.
12 Sa për Gileadin, ai është fajtor,
ata janë krejt të pavlerë.
Në Gilgal flijojnë qe,
altarët e tyre janë si pirgje gurësh
nëpër hullitë e arës.
13 Ia mbathi Jakobi për në tokën e Aramit,
Izraeli u bë shërbëtor për një grua,
për një grua u bë bari.
14 Me anë të një profeti
Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti,
me anë të një profeti edhe e ruajti.
15 Efraimi nxori vrer,
ndaj gjakun e derdhur
Zoti i tij do t’ia kërkojë
e poshtërsinë do t’ia shpërblejë».