Dashuria e Zotit
1 «Kur Izraeli ishte djalë, unë e desha,
nga Egjipti e thirra birin tim.
2 Por, sa më shumë i thërrisja
aq më shumë iknin tej.
Baalëve u flijonin,
idhujve u digjnin kem.
3 Unë e mësova Efraimin të ecte,
për dore e mbaja unë,
por kujdesin tim s’e njohën.
4 I tërhiqja me litarë mirësie, me hallka dashurie,
për ta u bëra si ai që zgjedhën heqgj
e ulet për t’i ushqyer.
5 Në tokën e Egjiptit s’do të kthehen,
por Asiri do të bëhet mbreti i tyre,
se s’deshën të ktheheshin tek unë.
6 Shpata do të vërvitet kundër qyteteve,
shulat do t’i shkatërrojë e do t’i përpijë,
për faj të shestimeve të tyre.
7 Populli im priret drejt bjerrjes,
thërrasin lart,
por askush nuk do t’i lartësojë.
8 Si të hiqkam dorë prej teje, o Efraim?
Si të të dorëzuakam, o Izrael?
Si të të trajtuakam si Admën?
Si të të bëkam si Ceboimin?
Zemra më përdëllehet,
dhembshuria më ndizet flakë.
9 Nuk do ta shfryj zemërimin tim,
Efraimin s’do ta shkatërroj sërish,
se Perëndi jam unë e jo njeri,
i Shenjti në mesin tuaj.
I zemëruar nuk do të vij.
10 Porsi luani do të ulërijë Zoti
e ata do ta ndjekin pas.
E kur të ulërijë,
do të flatrojnë bijtë nga perëndimi.
11 Si trumcaku do të flatrojnë nga Egjipti,
porsi pëllumbi nga toka e Asirisë
e në shtëpitë e tyre do t’i kthej,
kumton Zoti».
gj11.4 të tjerë: porsi ai që fëmijën e ngrit deri në mollëza të veta