Kushtimi si nazireas
1 Zoti foli me Moisiun e i tha: 2 «Fol me izraelitët e thuaju: çdo burrë ose grua që zotohet se do t’i kushtohet Zotit si nazireas, 3 të heqë dorë nga vera e pijet e forta, të mos pijë uthull vere e as uthull pijesh të forta, të mos pijë lëng rrushi e të mos hajë rrush të freskët e as të thatë. 4 Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, të mos hajë asgjë që bëhet nga vreshti, as nga fara, as nga lëkura.
5 Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, të mos e rruajë kokën. Derisa të përmbushen ditët e kushtit si nazireas, ai do të jetë i shenjtë e do t’i rrisë flokët.
6 Gjatë gjithë kohës që i është kushtuar Zotit si nazireas, të mos i afrohet asnjë kufome, 7 qoftë kufomës së të atit, të së ëmës, të të vëllait apo të së motrës. Të mos e përdhosë veten, sepse në kokë mban shenjën që i është kushtuar Perëndisë. 8 Gjatë gjithë kohës që është i kushtuar si nazireas, do të jetë i shenjtë për Zotin.
9 Por, nëse dikush vdes papritur pranë tij e si pasojë përdhos kryet që ka kushtuar si nazireas, atëherë ta rruajë kokën pas shtatë ditësh, në ditën e pastrimit. 10 Të tetën ditë t’i sjellë priftit te hyrja e tendës së takimit dy turtuj ose dy pëllumba. 11 Prifti ta kushtojë njërën si fli mëkati e tjetrën si fli shkrumbimi që ta shlyejë nga mëkati për shkak të kufomës. Po atë ditë do të shenjtërojë kryet. 12 Atëherë t’i kushtohet sërish Zotit për t’i përmbushur ditët e kushtit si nazireas. Të sjellë një qengj motak si fli faji, por ditët që ka bërë deri në atë kohë si nazireas nuk do t’i njihen, sepse u përdhos.
13 Ky është ligji për nazireasin. Kur të përmbushen ditët e kushtit, nazireasi të paraqitet para hyrjes së tendës së takimit. 14 T’i kushtojë Zotit një qengj motak të patëmetë si fli shkrumbimi, një rrunëz të patëmetë si fli mëkati, një dash të patëmetë si fli paqtimi 15 dhe një shportë me bukë, kuleç e pite të ndorme e të lyera me vaj bashkë me flinë e drithit e të stërpikjes. 16 Atëherë prifti t’ia paraqesë Zotit e t’i kushtojë si fli mëkati e fli shkrumbimi. 17 Dashin bashkë me shportën e të ndormeve t’ia kushtojë Zotit si fli paqtimi. Prifti të kushtojë edhe flinë e drithit e të stërpikjes. 18 Atëherë nazireasi ta rruajë kokën te hyrja e tendës së takimit e pastaj t’i hedhë flokët e prera në zjarrin që djeg flinë e paqtimit. 19 Prifti të marrë shpatullën e zier të dashit, një kulaç e një pite të ndorme nga shporta e t’ia vërë në dorë nazireasit pasi ai të jetë rruar. 20 Pastaj prifti t’i ngrejë lart si fli lartësimi para Zotit. Kjo pjesë i përket priftit bashkë me gjoksin që kushtohet si fli lartësimi dhe kofshën që ngrihet lart. Pas kësaj, nazireasi mund të pijë verë.
21 Ky është ligji për atë që zotohet si nazireas. Kjo është flija që do t’i kushtojë Zotit për kushtin e tij, por nëse zotohet të bëjë më shumë, atëherë të veprojë, siç premtoi, në përkim me ligjin e kushtit të nazireasit».
Bekimi i Aronit
22 Zoti foli me Moisiun e i tha: 23 «Fol me Aronin e bijtë e tij e thuaju: kështu do t’i bekoni izraelitët:
24 Zoti të bekoftë e të ruajttë!
25 Zoti e ndriçoftë fytyrën e tij mbi ty e pastë mëshirë për ty!
26 Zoti e ktheftë fytyrën e tij te ti e të dhëntë paqe!
27 Kështu, ata do ta thërrasin emrin tim mbi izraelitët dhe unë do t’i bekoj».