Përtej Jordanit
1 Bijtë e Rubenit e të Gadit kishin një numër të madh bagëtish. Kur vunë re që toka e Jazerit dhe e Gileadit ishte vend i mirë për blegtori, 2 i thanë Moisiut, priftit Eleazar e prijësve të bashkësisë: 3 «Ataroti, Diboni, Jazeri, Nimrami, Heshboni, Elealehu, Sebami, Neboi e Beoni 4 janë vende që Zoti i goditi përpara syve të bashkësisë së Izraelit. Janë vende për blegtori dhe shërbëtorët e tu kanë bagëti». 5 E vijuan: «Nëse kemi gjetur hir para jush, jepjani si pronë këtë tokë shërbëtorëve tuaj e mos na kërkoni që të kalojmë përtej Jordanit».
6 Atëherë Moisiu u tha bijve të Gadit e të Rubenit: «A thua vëllezërit tuaj do të shkojnë në luftë, ndërsa ju rrini këtu? 7 Përse i shkurajoni zemrat e izraelitëve që të mos kalojnë në tokën që u ka dhënë Zoti? 8 Kështu vepruan edhe etërit tuaj kur i dërgova nga Kadesh Barnea për të vrojtuar vendin. 9 Shkuan në luginën e Eshkolit dhe, pasi e panë tokën, i shkurajuan izraelitët që të mos shkonin në tokën që u kishte dhënë Zoti. 10 Atë ditë Zoti u zemërua e u betua: 11 “Asnjë njeri njëzet vjeç e sipër që doli nga Egjipti nuk ka për ta parë tokën për të cilën iu betova Abrahamit, Isakut e Jakobit, sepse nuk u treguan besnikë. 12 Vetëm Kalebi, biri i Jefuneh Kenizitit, dhe Jozuehu, biri i Nunit, i mbetën besnikë Zotit”. 13 Kështu Zoti u zemërua me Izraelin dhe i bëri të endeshin në shkretëtirë për dyzet vjet derisa mori fund e gjithë breznia që u soll keq para tij. 14 Tani ju, pjellë mëkatarësh, po ndiqni shembullin e etërve tuaj, që ta ndizni edhe më shumë zemërimin e Zotit kundër Izraelit. 15 Nëse nuk e ndiqni, Zoti do ta lërë sërish këtë popull në shkretëtirë e ju do të bëheni shkak për shkatërrimin e tyre».
16 Atëherë ata iu afruan e thanë: «Këtu do të ndërtojmë vathë për bagëtitë tona e qytete për fëmijët tanë, 17 por jemi të gatshëm të dalim për luftë në krye të izraelitëve derisa t’i çojmë në vendin e tyre. Fëmijët do t’i lëmë në qytete të fortifikuara nga frika e banorëve të vendit. 18 Nuk do të kthehemi në shtëpitë tona derisa çdo izraelit të marrë për pronë trashëgimin e vet. 19 Ne nuk do tragëshojmë asnjë pjesë nga Jordani e më tej, sepse pjesa jonë është caktuar në anën lindore të Jordanit».
20 Atëherë Moisiu u tha: «Nëse bëni siç thatë, nëse dilni në luftë para Zotit, 21 duke çuar çdo luftëtar që keni përtej Jordanit, derisa Zoti t’i dëbojë armiqtë e vet 22 e vendi t’i nënshtrohet atij e pastaj ktheheni, atëherë do të jeni te pafajshëm para Zotit e Izraelit. Ky vend do t’ju përkasë juve para Zotit. 23 Nëse nuk bëni siç thatë, do të mëkatoni para Zotit dhe dijeni mirë se mëkati juaj do t’ju zërë. 24 Ndërtoni, pra, qytete për fëmijë e vathë për dhen, por fjalën që keni dhënë mbajeni».
25 Atëherë bijtë e Gadit e të Rubenit i thanë Moisiut: «Shërbëtorët e tu do të bëjnë siç urdhëroi imzot. 26 Fëmijët, gratë, bagëtitë e kafshët do të rrinë në qytetet e Gileadit, 27 ndërsa shërbëtorët e tu, të gjithë luftëtarët, do të dalin për luftë para Zotit, siç tha imzot». 28 Moisiu urdhëroi priftin Eleazar, Jozuehun, birin e Nunit dhe krerët e fiseve të Izraelit për këtë gjë 29 e u tha: «Nëse të gjithë luftëtarët e bijve të Gadit e të Rubenit e kalojnë Jordanin bashkë me ju, që të dalin në luftë para Zotit, dhe e nënshtroni vendin, jepuni si pronë tokën e Gileadit. 30 Por nëse nuk kalojnë për luftë bashkë me ju, atëherë do të marrin pronë me ju në tokën e Kanaanit». 31 Bijtë e Gadit e të Rubenit u përgjigjën: «Siç u ka thënë Zoti shërbëtorëve të tu, ashtu do të bëjmë. 32 Do të kalojmë në tokën e Kanaanit për luftë para Zotit, por pjesa e trashëgimisë sonë do të mbesë në këtë anë të Jordanit».
33 Kështu, Moisiu u dha bijve të Gadit e të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manaseut, birit të Jozefit, mbretërinë e Sihonit, mbretit të amoritëve, dhe mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit, tokën me qytetet përkatëse dhe vendin e qyteteve përreth. 34 Bijtë e Gadit ndërtuan Dibonin, Atarotin, Aroerin 35 Aterot Shofatin, Jazerin, Jogbehahun, 36 Bet Nimrahun e Bet Haranin si qytete të fortifikuara e të rrethuara për dhentë. 37 Bijtë e Rubenit ndërtuan Heshbonin, Elealehun, Kirjataimin, 38 Neboin, Baal Meonin, emri i të cilit u ndryshua, e Sibmahun. Qyteteve që ndërtuan u dhanë emrat e vet. 39 Bijtë e Makirit, birit të Manaseut, shkuan në Gilead, e pushtuan dhe dëbuan amoritët që banonin atje. 40 Atëherë Moisiu i dha Gileadin Makirit, birit të Manaseut, dhe ata banuan atje. 41 Jairi, biri i Manaseut, shkoi e pushtoi fshatrat e tyre e i quajti Havot Jair. 42 Nobahu shkoi e pushtoi Kenatin bashkë me fshatrat e tij dhe e quajti sipas emrit të tij, Nobah.