Kumti i tretë
1 Balaami, kur pa se i pëlqeu Zotit ta bekojë Izraelin, nuk shkoi si herët e tjera për të kërkuar ndonjë ogur. Qëndroi me fytyrë nga shkretëtira, 2 ngriti sytë e soditi Izraelin që fushonte sipas fiseve. Atëherë shpirti i Perëndisë erdhi mbi të 3 e Balaami ia nisi këngës:
«Kumti i Balaamit, birit të Beorit,
kumti i burrit symprehtë.
4 Kumti i atij, që dëgjon fjalët e Perëndisë,
që syhapur bie përmbys
e sheh vegimet e të gjithëpushtetshmit.
5 Sa të bukura tendat e tua, o Jakob,
banesat e tua, o Izrael.
6 Porsi palmati që shtrihen radhë,
porsi pemishtet anë lumit,
porsi aloet e mbjella nga Zoti,
porsi cedrat buzë ujit.
7 Nga kovat ujë do t’i gurrojë
e farës së tij uji s’do t’i mungojë.
Më lart se Agagu mbreti i tij do të ngrihet,
mbretëria e tij do të lartësohet.
8 Si brirë demi të egër e ka Perëndinë
që nga Egjipti e shpëtoi.
Ai i përpin kombet, armiqtë e tij.
Eshtrat ua thërmon,
me shigjeta i dërrmon.
9 Kruspet, shtrihet porsi luan,
e kush guxon ta zgjojë?
I bekuar është ai që të bekon,
i mallkuar ai që të mallkon».
10 Atëherë Balakut iu ndez zemërimi kundër Balaamit e duke rrahur duart i tha: «Të thirra të m’i mallkosh armiqtë, kurse ti ke tri herë që veç i bekon. 11 Prandaj, ik nga erdhe! Të thashë se do të të shpërbleja mirë, por ja që Zoti të la pa shpërblim». 12 Balaami iu përgjigj: «Po a nuk u thashë edhe unë lajmëtarëve që më dërgove: 13 “Edhe sikur Balaku të më japë shtëpinë e tij plot me argjend e me ar, vetë nuk mund t’i bëj bisht aspak fjalës së Zotit. Do të them vetëm atë që më thotë Zoti”. 14 Tani do të kthehem te populli im, por më parë më lër të të lajmëroj se çfarë do t’i bëjë në të ardhmen ky popull popullit tënd».
Kumti i fundit
15 Atëherë ia nisi këngës:
«Kumti i Balaamit, birit të Beorit,
kumti i burrit symprehtë.
16 Kumti i atij që dëgjon fjalët e Perëndisë,
që njeh udhët e të Tejlartit,
që syhapur bie përmbys,
e sheh vegimet e të gjithëpushtetshmit.
17 E shoh, por jo tash,
e vërej, por jo afër,
një yll që del nga Jakobi,
një skeptër që ngrihet nga Izraeli.
Ia plas tëmthat Moabit,
e kryetj bijve të Setit.
18 Edomi do të zaptohet,
Seiri do të zaptohet nga armiqtë,
por Izraeli trimërohet.
19 Dikush nga Jakobi sundon
e banorët që mbijetojnë ai i shkatërron».
20 Pastaj vështroi drejt Amalekut e ia nisi këngës:
«I pari mes kombeve ishte Amaleku,
por në fund shkatërrimi i plotë e pret».
21 Pastaj vështroi drejt Kenitit e ia nisi këngës:
«Të sigurt e ke banesën
e mbi shkrepa folenë e vendose,
22 por Kaini është caktuar për t’u djegur.
Sa gjatë do të të mbajë Ashuri në robëri?».
23 Ai vijoi këngën:
«Mjerë! Kush do të rrojë kur Perëndia ta bëjë këtë?
24 Prej Kitimi dalin anije,
Ashurin shkretojnë, Eberin shkretojnë,
por në fund do të shkatërrohet ai vetë».
25 Atëherë Balaami u ngrit e u kthye në vendlindje. Edhe Balaku shkoi udhës së vet.