Numrat 23

Kumti i parë

Atëherë Balaami i tha Balakut: «Më ndërto këtu shtatë altarë e më përgatit shtatë dema e desh». Balaku bëri siç i tha Balaami dhe kushtuan nga një dem e nga një dash në çdo altar. Pastaj Balaami i tha Balakut: «Rri përkrah flisë së shkrumbimit sa të shkoj, se ndoshta Zoti më takon. Çfarëdo fjale që të më zbulojë do të ta tregoj». Kështu, ai u ngjit më lart.

Perëndia u takua me Balaamin dhe Balaami i tha: «Përgatita shtatë altarë e në secilin prej tyre kushtova si fli shkrumbimi nga një dem e nga një dash». Zoti i vuri fjalët në gojë Balaamit e i tha: «Kthehu te Balaku e thuaji kështu». Ai u kthye te Balaku që po qëndronte përkrah flisë së shkrumbimit bashkë me tërë prijësit e Moabit. Atëherë Balaami ia nisi këngës:

«Prej Aramit më solli Balaku,

mbreti i Moabit, i bjeshkëve të lindjes.

Eja e mallkoma Jakobin.

Eja e nëm Izraelin.

Si të mallkoj kë Perëndia s’mallkon?

Si të nëm kë Zoti s’nëm?

E shoh prej majave të shkrepave,

prej kodrave e sodis.

Ja, një popull që i vetëm banon

e mes kombeve nuk përzihet.

10 Kush mund të numërojë pluhurin e Jakobit,

apo të katërtëngj e Izraelit.

Vdeksha me vdekjen e të drejtëve,

fundi im qoftë si i tyre».

11 Atëherë Balaku i tha Balaamit: «Ç’më bëre? Të thirra të m’i mallkosh armiqtë, por ti veç po i bekon!». 12 Ai iu përgjigj: «A thua të mos flas atë që Zoti më vë në gojë?».

Kumti i dytë

13 Pastaj Balaku i tha: «Eja me mua në një vend tjetër prej ku mund të shohësh popullin. Nuk do ta shohësh dot të gjithin, por vetëm një pjesë të tij. Prej andej do të ma mallkosh». 14 Ai e çoi Balaamin te fusha e Cofimit, në majë të Pisgahut. Ndërtoi shtatë altarë dhe në secilën prej tyre kushtoi nga një dem e nga një dash. 15 Pastaj Balaami i tha: «Rri këtu përkrah flisë së shkrumbimit sa të shkoj të takohem me Zotin». 16 Zoti u takua me Balaamin, i vuri fjalët në gojë e i tha: «Kthehu te Balaku e thuaji kështu». 17 Ai u kthye te Balaku që po qëndronte përkrah flisë së shkrumbimit bashkë me tërë prijësit e Moabit. 18 Atëherë Balaami ia nisi këngës:

«Ngrihu Balak, e dëgjo,

vëma veshin, o biri i Ciporit.

19 Perëndia s’është njeri, që të rrejë,

s’është si njerëzia, që të ndërrojë mendje!

A thua ai flet, por s’bën gjë,

jep fjalën, por s’e mban?

20 Ja, m’u tha që të bekoj,

e kur ai bekon, s’e kthej dot.

21 Fatkeqësi s’duket për Jakobin,

as mynxyrë s’shihet për Izraelin.

Me të është Zoti, Perëndia i tij,

që si mbret brohoritet mes popullit.

22 Si brirë demi të egër e ka Perëndinë

që nga Egjipti e shpëtoi.

23 Ndaj nuk ka ogur teh Jakobi,

as shorti në Izrael,

tani thuhet për Jakobin e Izraelin:

“Ç’vepra ka bërë Perëndia”.

24 Ja një popull që si luaneshë ngrihet

e porsi luan çohet në këmbë,

që nuk ulet pa përlarë prenë

e pa pirë gjakun e kufomave».

25 Atëherë Balaku i tha Balaamit: «Për t’i mallkuar, nuk po i mallkon. Të paktën mos i beko!». 26 Ai iu përgjigj: «A nuk të thashë se do të bëj gjithçka që më thotë Zoti?».

27 Balaku i tha Balaamit: «Eja të të çoj në një vend tjetër. Ndoshta do t’i pëlqejë Perëndisë që të m’i mallkosh prej andej». 28 Kështu, e çoi Balaamin në majë të Peorit prej nga shihej Jishmoni. 29 Pastaj Balaami i tha: «Më ndërto këtu shtatë altarë e më përgatit shtatë dema e desh». 30 Balaku bëri siç i tha Balaami. Ai kushtoi nga një dem e nga një dash në çdo altar.


 gj23.10 të tjerë: rërën

 h23.23 ose: kundër