Temjanicat
1 e Zoti i tha Moisiut: 2 «Thuaji Eleazarit, birit të priftit Aron, t’i heqë temjanicat nga kufomat e shkrumbuara e ta shpërndajë andej-këtej zjarrin që është në to, sepse temjanicat janë shenjtëruar. 3 Temjanicat e këtyre mëkatarëve, që e pësuan me jetën e tyre, farkëtoji si pllaka për të veshur altarin, sepse ia paraqitën Zotit dhe u shenjtëruan. Ato të shërbejnë si shenjë qortuese për izraelitët». 4 Atëherë prifti Eleazar i mori temjanicat prej bronzi nga kufomat e shkrumbuara dhe i farkëtoi si pllaka për altarin, 5 për të shërbyer si përkujtimore për izraelitët që askush, përveç pasardhësve të Aronit, të mos afrohet për t’i kushtuar Zotit temjan, përndryshe do ta pësojë si Koreu e njerëzit e tij. Kështu Eleazari bëri siç i tha Zoti përmes Moisiut.
6 Të nesërmen, tërë bashkësia e izraelitëve murmuriti kundër Moisiut e Aronit: «E vratë popullin e Zotit!». 7 Por, kur u mblodh kundër Moisiut e Aronit, bashkësia u kthye drejt tendës së takimit dhe ja, reja e mbuloi tendën dhe u dëftua lavdia e Zotit. 8 Atëherë Moisiu e Aroni mbërritën para tendës së takimit. 9 Zoti i tha Moisiut: 10 «Largohuni nga kjo bashkësi që t’i përpij menjëherë». Ata ranë me fytyrë përdhe 11 dhe Moisiu i tha Aronit: «Merre temjanicën, mbushe me zjarr nga altari dhe me temjan. Nxito drejt bashkësisë e shlyej mëkatin e tyre, sepse ka shpërthyer zemërimi i Zotit dhe po pllakos gjëma!». 12 Aroni e mori siç i tha Moisiu dhe vrapoi në mes të bashkësisë. Tashmë mes tyre kishte filluar gjëma. Ai e mbushi me temjan dhe e shleu mëkatin e popullit. 13 Qëndroi ndërmjet të vdekurve e të gjallëve dhe gjëma u ndal.
14 Dyzet mijë e katërqind veta vdiqën nga kjo gjëmë pa përmendur ata që vdiqën për shkak të Koreut. 15 Kur u ndal gjëma, Aroni u kthye te Moisiu, në hyrje të tendës së takimit.
Shkopi i Aronit
16 Zoti i tha Moisiut: 17 «Fol me izraelitët e merr nga një shkop për çdo fis, për çdo prijës të familjeve të etërve, gjithsej dymbëdhjetë shkopinj. Në secilin shkop shkruaj emrin e prijësit përkatës. 18 Emrin e Aronit shkruaje te shkopi i Levit, se duhet të ketë nga një shkop për çdo krye të familjeve të etërve. 19 Pastaj, vendosi në tendën e takimit para dëshmisë, atje ku takohem me ju. 20 Shkopi i atij që do të zgjedh, do të lulëzojë. Kështu do t’i heq qafe murmuritjet e izraelitëve që nuk reshtin kundër jush».
21 Moisiu foli me izraelitët e çdo prijës i familjeve të etërve i dha nga një shkop. Gjithsej ishin dymbëdhjetë shkopinj. Mes tyre ishte edhe shkopi i Aronit. 22 Moisiu i vendosi në tendën e dëshmisë në prani të Zotit. 23 Të nesërmen, Moisiu hyri në tendën e dëshmisë dhe, ja, shkopi i Aronit, nga fisi i Levit, kishte lulëzuar. Ai kishte nxjerrë sytha, kishte bulëzuar e kishte prodhuar bajame. 24 Atëherë Moisiu i nxori të gjithë shkopinjtë nga prania e Zotit para tërë popullit të Izraelit. Ata i panë dhe secili mori shkopin e vet.
25 Zoti i tha Moisiut: «Ktheje shkopin e Aronit te dëshmia, që të ruhet si shenjë për kryengritësit. Kështu, do t’i japësh fund murmuritjeve kundër meje, që ata të mos vdesin». 26 Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti. 27 Izraelitët i thanë Moisiut: «Ja, morëm fund! U zhbimë! Të gjithë ne mbaruam! 28 Kushdo që i afrohet tendës së Zotit, vdes. A thua kështu do të vdesim e do të marrim fund?!».