Rebelimi i bashkësisë
1 Atëherë tërë bashkësia vuri kujën e vajtoi gjatë gjithë asaj nate. 2 Të gjithë izraelitët murmuritën kundër Moisiut e Aronit e u thanë: «Më mirë të kishim vdekur në Egjipt ose këtu në shkretëtirë. 3 Pse po na çon Zoti në këtë tokë? Që të vdesim prej shpate e që gratë e fëmijët të na zihen rob? A nuk është më mirë të kthehemi në Egjipt?». 4 Ata i thoshin njëri-tjetrit: «Të caktojmë një prijës tjetër e të kthehemi në Egjipt».
5 Atëherë Moisiu e Aroni ranë me fytyrë përdhe përpara tërë bashkësisë së izraelitëve. 6 Jozuehu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut, dy nga vëzhguesit, i shqyen rrobat 7 e i thanë bashkësisë së izraelitëve: «Toka që përshkuam e hetuam është tej mase e mirë. 8 Nëse Zoti na përkrah, do të na çojë në këtë vend e do të na e japë tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë. 9 Mos ngrini krye kundër Zotit! Mos e kini frikë popullin e vendit, se është kafshatë e vogël për ne. Ata s’ka kush t’i ndihmojë, ndërsa me ne është Zoti. Mos i kini frikë!». 10 Mirëpo tërë bashkësia e izraelitëve donte t’i vriste me gurë. Atëherë lavdia e Zotit iu dëftua të gjithë izraelitëve në tendën e takimit 11 dhe Zoti i tha Moisiut: «Edhe për sa kohë do të më përbuzë ky popull? Edhe për sa kohë nuk do të më zërë besë, pas gjithë atyre shenjave që bëra mes tyre? 12 Do t’i godas me murtajë e do t’i dëboj, ndërsa prej teje do të bëj një komb më të madh e më të fuqishëm se ata».
Lutja e Moisiut
13 Por Moisiu i tha Zotit: «Do të dëgjojnë egjiptianët, prej nga e nxore me forcë këtë popull, 14 e do t’u tregojnë banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar se ti, o Zot, je mes këtij populli, sepse ti, o Zot, shfaqesh ballë për ballë, reja jote qëndron mbi ta, dhe ditën u shkon para në shtyllën e resë, ndërsa natën në shtyllën e zjarrit. 15 Nëse e vret një herë e mirë këtë popull, popujt që kanë dëgjuar të flitet për ty do të thonë: 16 “Zoti i theri në shkretëtirë, se nuk ishte në gjendje ta çonte këtë popull në tokën që u premtoi”. 17 Prandaj, të lutem, tregoje madhështinë e fuqisë tënde, o Zot, ashtu siç the:
18 “Zoti është i ngadaltë në zemërim e plot mirësi,
e fal paudhësinë e shkeljen,
por nuk lë pa dënuar.
Paudhësinë e etërve e ndëshkon,
deri te fëmijët,
deri te breznia e tretë dhe e katërt”.
19 Fale paudhësinë e këtij populli në saje të mirësisë sate të madhe, ashtu siç ke bërë që kur i nxore nga Egjipti e deri tani».
20 Atëherë Zoti i tha: «Po i fal siç the, 21 por pasha jetën e lavdinë e Zotit që mbushç tërë tokën, 22 asnjë nga njerëzit që pa lavdinë time e shenjat që bëra në Egjipt e në shkretëtirë dhe më vuri në provë dhjetë herë pa më dëgjuar, 23 s’ka për ta parë tokën që u premtova etërve të tyre. Asnjë nga ata që më përbuzën nuk do ta shohë. 24 Por me Kalebin, shërbëtori tim, ishte një frymë tjetër dhe ai më qëndroi besnik, prandaj do ta çoj në tokën që shkeli dhe që pasardhësit e tij do ta zotërojnë.
25 Amalekitët e kananitët banojnë në luginë, prandaj nesër kthehuni e nisuni drejt shkretëtirës, rrugës për te deti i Kuq».
Ndëshkimi i bashkësisë
26 Zoti i tha Moisiut e Aronit: 27 «Për sa kohë do të murmuritë kundër meje kjo bashkësi e mbrapshtë? Mjaft i dëgjova duke murmuritur kundër meje. 28 Prandaj thuaju: “Pasha jetën, kumton Zoti, unë do të bëj me ju siç dëgjova se thatë. 29 Në këtë shkretëtirë do të bien kufomat tuaja, të gjithë të regjistruarit nga njëzet vjeç e lart që murmuritën kundër meje. 30 Asnjë prej jush nuk do të hyjë në tokën ku u betova se do t’ju vendos, përveç Kalebit, birit të Jefunehut dhe Jozuehut, birit të Nunit. 31 Fëmijët tuaj, për të cilët thatë se do të zihen rob, do t’i fus. Ata do ta shijojnë tokën që ju përbuzët, 32 ndërsa kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë. 33 Bijtë tuaj do të bredhin si barinj nëpër shkretëtirë për dyzet vjet. Ata do të paguajnë për pabesinë tuaj gjersa çdo kufomë juaja të marrë fund në shkretëtirë. 34 Paudhësitë tuaja do t’i vuani për dyzet vjet, një vit për çdo ditë që hetuat tokën. Kështu do ta dini se ç’do të thotë të më kundërshtonid. 35 Unë Zoti fola: kështu do të sillem me tërë këtë bashkësi të mbrapshtë që bëhet bashkë kundër meje. Në këtë shkretëtirë do të vdesin, këtu do të marrin fund!”».
36 Burrat që Moisiu dërgoi për të hetuar tokën dhe që në kthim nxitën tërë bashkësinë të murmuriste kundër tij, duke folur keq për tokën, 37 vdiqën nga një plagë para Zotit. 38 Nga burrat që shkuan për të hetuar tokën, mbetën gjallë vetëm Jozuehu, biri i Nunit, dhe Kalebi, biri i Jefunehut.
39 Kur Moisiu u tha tërë këto fjalë, izraelitët vajtuan me të madhe. 40 U ngritën herët në mëngjes, u ngjitën në majë të malit e thanë: «Le të shkojmë te vendi, për të cilin Zoti tha se mëkatuam». 41 Moisiu u tha: «Përse po shkelni fjalën e Zotit? Nuk keni për t’ia dalë mbanë. 42 Mos shkoni, se nuk do ta keni Zotin mes jush dhe armiqtë do t’ju mundin. 43 Përballë keni amalekitët e kananitët. Do të vdisni prej shpatës së tyre, se i kthyet shpinën Zotit e ai nuk do të jetë me ju». 44 Por ata ngulën këmbë dhe u ngjitën në majë të malit, edhe pse arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i fushimit. 45 Atëherë amalekitët e kananitët, malësorët e vendit, i sulmuan e i goditën dhe i ndoqën deri në Hormah.