Riti për faljen e mëkateve
1 Ditën e njëzetekatërt të po këtij muaji, izraelitët u mblodhën për agjërim, të veshur me grathore e të mbuluar me pluhur. 2 Pasardhësit e Izraelit u ndanë veç nga të gjithë të huajt, qëndruan më këmbë e rrëfyen mëkatet dhe fajet e etërve të vet. 3 U ngritën më këmbë në vendin e vet dhe lexuan librin e ligjit të Zotit, Perëndisë së tyre, për një të katërtën e ditës, ndërsa për një të katërt tjetër u rrëfyen e ranë përmbys para Zotit, Perëndisë së tyre. 4 Atëherë, Jeshuai, Baniu, Kadmieli, Shebanjahu, Buniu, Sherebiahu, Baniu e Kenani u ngritën mbi shkallaren e levitëve e thirrën Zotin, Perëndinë e tyre, me zë të lartë. 5 Pastaj levitët Jeshua, Kadmiel, Baniu, Hashabenjah, Sherebiah, Hodiah, Shebanjah, Petahiah thanë: «Ngrihuni e bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, përherë e përgjithmonë. Bekuar qoftë emri yt i lavdishëm që u lartësua mbi çdo bekim e lavdërim. 6 Ti, vetëm ti je Zoti. Ti i krijove qiejt dhe qiejt e qiejve me tërë ushtritë e tyre, tokën me gjithçka është në të e detin me gjithçka është në të. Të gjithave ti ua jep jetën e ushtritë e qiejve bien përmbys para teje. 7 Ti je Zoti, Perëndia që zgjodhi Abramin, e nxori nga Uri i kaldenjve e i dha emrin Abraham. 8 Ti e pe se zemra e tij ishte besnike ndaj teje dhe lidhe me të besëlidhjen, për t’u dhënë pasardhësve të tij tokën e kananitëve, të hititëve, të amoritëve, të perisitëve, të jebusitëve e të girgashitëve, dhe e mbajte fjalën, sepse ti je i drejtë. 9 Ti e pe pikëllimin e etërve tanë në Egjipt dhe e dëgjove britmën e tyre te deti i Kuq. 10 Bëre shenja e mrekulli kundër faraonit, kundër gjithë shërbëtorëve të tij e kundër mbarë popullit të tokës së tij, sepse e dije si i kishin poshtëruar etërit tanë. Bëre emër për vete gjer më sot. 11 Hape detin para tyre e ata kaluan përmes detit nëpër terë, ndërsa përndjekësit e tyre i hodhe në humnerë, si gurin në ujëra të thella. 12 Gjatë ditës i udhëhoqe me një shtyllë reje e gjatë natës me një shtyllë zjarri, për t’u ndriçuar udhën, ku po ecnin. 13 Zbrite mbi malin Sinai e fole me ta nga qielli. U dhe vendime të drejta, ligje të vërteta, rregulla e urdhërime të mira. 14 U bëre të njohur të shtunën tënde të shenjtë e u dhe urdhërime, rregulla e ligje, me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd. 15 U dhe bukë prej qielli për t’ua shuar urinë e u nxore ujë prej shkëmbit për t’ua shuar etjen e u the të shkonin e të merrnin në zotërim tokën që ishe betuar t’ua jepje.
16 Por ata, etërit tanë, u treguan kryeneçë e kokëfortë e nuk i dëgjuan urdhërimet e tua. 17 Nuk deshën të dëgjonin e nuk u kujtuan për mrekullitë që kishe bërë mes tyre, por u treguan kokëfortë, ngritën krye e caktuan një prijës që të ktheheshin në skllavëri. Por ti je Perëndi që fal, përdëllyes e i mëshirshëm, i ngadaltë në zemërim e plot besnikëri, prandaj nuk i braktise. 18 Edhe kur ata bënë viçin prej metali e thanë: “Ky është perëndia yt, që të nxori nga Egjipti”, duke të fyer rëndë, 19 ti, në mëshirën tënde të madhe, nuk i braktise në shkretëtirë. Shtylla e resë, që i udhëhiqte, nuk u largua prej tyre gjatë ditës, as shtylla e zjarrit që gjatë natës u tregonte udhën nga duhej të shkonin. 20 Ti u dhurove Shpirtin tënd të mirë, për t’i mësuar, e nuk ua hoqe nga goja manën, madje u dhe edhe ujë për të shuar etjen. 21 Për dyzet vjet i ushqeve në shkretëtirë e nuk u mungoi asgjë, nuk iu vjetruan petkat e nuk iu ënjtën këmbët. 22 U dhe mbretëri e popuj, ua ndave me kufij e ata morën tokën e Sihonit, tokën e mbretit të Heshbonit dhe tokën e Ogut, mbretit të Bashanit. 23 Ti ua shumove pasardhësit si yjet e qiellit e i solle në tokën, ku u kishe thënë etërve të tyre të hynin, për ta marrë në zotërim. 24 Pasardhësit e tyre hynë dhe e morën në zotërim tokën e ti ua nënshtrove banorët e asaj toke, kananitët, e ua dorëzove me mbretër e me popuj të asaj toke, që të bënin me ta si të donin. 25 Ata pushtuan qytete të fortifikuara e tokë pjellore dhe morën në zotërim shtëpi plot me gjithë të mirat, puse të hapura, vreshta, ullishta e pemë frutore me begati. Hëngrën, u nginë, u majmën e u zdërhallën falë mirësisë sate të madhe. 26 Por nuk u bindën, të kundërshtuan, hodhën pas shpine ligjin tënd dhe i vranë profetët e tu, që u kishin bërë thirrje të ktheheshin kah ti, e të fyen rëndë. 27 Atëherë ti i le në dorë të armiqve të tyre e ata i nëpërkëmbën, por, kur u gjetën ngushtë, të thirrën ty e ti, prej qiellit, i dëgjove dhe sipas mëshirës sate të madhe, u dhe shpëtimtarë që i shpëtuan nga dora e armiqve të tyre. 28 Por, kur gjenin prehje, përsëri bënin ligësi para teje e ti i braktisje në duart e armiqve të tyre që i nënshtronin. Pastaj të thërrisnin ty e ti, prej qiellit, i dëgjoje dhe, sipas mëshirës sate, i shpëtoje herë pas here. 29 Ti i qortoje, që të ktheheshin te ligji yt, por ata krekoseshin e nuk i dëgjonin urdhërimet e tua. Mëkatonin kundër vendimeve të tua, megjithëse njeriu që i zbaton, jeton prej tyre. Nuk e përkulën kurrizin, nuk e ulën kokën e nuk të dëgjuan. 30 Ti pate durim me ta për shumë vite e i qortove me anë të Shpirtit tënd e me anë të profetëve të tu, por ata nuk ta vunë veshin, prandaj ua le në dorë popujve të botës. 31 Gjithsesi, falë mëshirës sate të madhe, nuk u dhe fund e nuk i braktise, se ti je Perëndi përdëllyes e i dhembshur. 32 Tani, o Perëndia ynë, Perëndi i madh, i fuqishëm e i tmerrshëm, që e mban besëlidhjen e mirësinë, mos e nënçmo kobin që ra mbi ne, mbi mbretërit, prijësit, priftërinjtë, profetët e etërit tanë dhe mbi mbarë popullin tënd, që prej kohës së mbretërve të Asirisë e gjer më sot.
33 Ti ke qenë i drejtë në gjithçka që ka rënë mbi ne, se ti ke vepruar me besnikëri e ne me ligësi. 34 Mbretërit, prijësit, priftërinjtë dhe etërit tanë nuk e zbatuan ligjin tënd, nuk u kujdesën as për urdhërimet e tua, as për dëshmitë e tua përmes të cilave i qortove. 35 Edhe kur patën mbretërinë e tyre, begatinë e madhe, që ti u dhe, dhe tokën e gjerë e pjellore, që ti ua dorëzove, nuk të shërbyen e nuk hoqën dorë nga veprimet e liga. 36 Ja, sot ne jemi skllevër. Në tokën që ti ua dhe etërve tanë për t’u ushqyer me frytet e me të mirat e saj, ne tani jemi skllevër. 37 Prodhimet e saj të begata i marrin mbretërit që ti i caktove mbi ne për shkak të mëkateve tona. Ata sundojnë mbi trupat tanë e mbi bagëtitë tona si të duan e ne jemi në ngushticë të madhe».