Naumi 1

Shpallje për Ninivën. Libri i Vegimeve të Naumit prej Elkoshit.

Zemërimi i Perëndisë

«Perëndia është Zot xheloz e hakmarrës,

hakmarrës është Zoti e Zot plot tërbim.

Hak merr Zoti kundër armiqve të tij

e shpërthen me tërbim ndaj kundërshtarëve të tij.

Zoti është i ngadaltë në zemërim,

i madhërishëm në fuqi,

fajtorin nuk e lë pa ndëshkim.

Zoti rrugëton në furtunë e stuhi,

si pluhur i shkel retë këmba e tij.

Qorton detin, e than atë,

tërë lumenjtë i shteron.

U mpak Bashani e Karmeli,

u venit lulëzimi i Libanit.

Prej tij malet tranden

e kodrat dridhen.

Para tij gulçon toka,

bota e mbarë banorët e saj.

Kush mund t’i bëjë ballë furisë së tij?

Kush mund ta durojë zemërimin e tij?

Porsi zjarri e derdh tërbimin,

para tij shkërmoqen shkëmbinjtë.

Zoti është i mirë,

strehë në ditë të vështirë.

I njeh ata që strehon te vetja.

Pora Ninivën e përmbyt e i jep fund,

armiqtë i ndjek nëpër errësirë.

Ç’po thurni kundër Zotit?

Ai i jep fund gjithçkaje,

ndaj telashe s’do të ketë më.

10 Ata janë si lëmsh ferrash,

të dehur si pijanecë.

Do të përpihen si kashta e tharë krejt.

11 Prej teje doli,

ai që kundër Zotit ligësi kurdis.

Këshilltar i mbrapshtë është ai.

12 Kështu thotë Zoti:

“Ndonëse janë të përkryer e të shumtë,

do të korren e do të marrin fund.

E ndonëse ty të ndëshkova,

s’do ta bëj më kurrë.

13 Tani, do ta thyej zgjedhën që ke në qafë,

vargonjtë do të t’i këpus”.

14 Për ty Zoti urdhëroi:

“Emri yt nuk do të trashëgohet më.

Do t’i zhbij idhujt e gdhendur e të metaltë

prej shtëpisë së Perëndisë tënd.

Do të të shtie në varr,

se je pa vlerë”».


 a1.8 të tjerë: kur vërshon përmbytja