Mikea 5

Prijësi i ardhshëm

«E ti, o Betlehem i Efratës,

edhe pse më i vogli ndër klanet e Judës,

prej teje do të dalë për mua

ai që do të sundojë në Izrael.

Zanafilla e tij është prej lashtësisë,

prej ditëve të amshimit.

Perëndia do t’i braktisë

derisa të lindë gruaja shtatzënë

dhe vëllezërit që mbeten

do të kthehen te bijtë e Izraelit.

Ai do të qëndrojë e grigjën do ta kullotë,

me fuqinë e Zotit,

me madhështinë e emrit të Zotit,

Perëndisë së tij.

Ata do të banojnë të sigurt,

se madhështia e tij do shtrihet në çdo skaj të tokës.

Do të ketë paqe,

e në ardhtë Asiria në tokën tonë

e fortesat në na i shkeltë,

do të ngremë nja shtatë a tetë prijës kundër tij,

që, me shpatë, ta sundojnë tokën e Asirisë,

me shpatë zhveshurd tokën e Nimrodit.

Ai do të na shpëtojë prej Asirisë,

në ardhtë në tokën tonë

e kufijtë në na i shkeltë.

Teprica e Jakobit,

do të jetë ndër shumë popuj,

porsi vesa e Zotit,

porsi rrebeshi mbi bar,

që s’pret urdhër nga njeri

e s’varet nga njerëzia.

Teprica e Jakobit,

do të jetë ndër shumë kombe,

porsi luani ndër kafshët e pyllit,

porsi luanthi mes kopeve të dhenve,

që kur i has, shkel e shqyen

e ato s’ka kush t’i shpëtojë.

Dorën do ta ngresh kundër armiqve,

e të gjithë kundërshtarët e tu do të zhbihen.

Atë ditë, kumton Zoti,

do t’i zhbij kuajt prej teje,

do t’i shkatërroj qerret e tua.

10 Do t’i zhbij qytetet e vendit tënd,

do t’i rrënoj tërë fortesat e tua.

11 Do t’i zhbij shortitë prej dorës tënde,

shortarë nuk do të kesh më.

12 Do t’i zhbij shëmbëlltyrat e përmendoret prej teje,

veprën e duarve të tua nuk do ta adhurosh më.

13 Do t’i çrrënjos shtyllat e Asherave prej teje,

qytetet e tua do t’i shkatërroj.

14 Do të hakmerrem furishëm e tërë zemëratë,

me kombet që nuk dëgjojnë».


 d5.5 ose: në portat e saj