Mikea 4

Mali i Zotit

«Në ditët që do të vijnë,

mali i shtëpisë së Zotit do të ngrihet mbi majat e maleve,

do të lartësohet përmbi kodra

e popujt atje do të vërshojnë.

Shumë kombe do të shkojnë e do të thonë:

ejani të shkojmë te mali i Zotit,

te shtëpia e Perëndisë së Jakobit.

Ai do të na mësojë rrugët e tij,

që të ecim udhëve të tij,

se prej Sionit do të dalë ligji,

prej Jerusalemit fjala e Zotit.

Ai do të bëjë gjyq mes shumë popujve,

do të japë vendime që larg për kombe të fuqishme.

E ata, shpatat do t’i farkëtojnë për plugje,

heshtat e tyre për drapërinj.

Kombet s’do ta nxjerrin shpatën kundër njëri-tjetrit,

për luftë nuk do të stërviten më.

Secili do të ulet nën hardhinë e vet,

nën fik, e s’do të ketë frikë,

se Zoti i ushtrive foli me gojën e vet.

Çdo popull ndjek perëndinë e tij,

ndërsa ne ndjekim Zotin, Perëndinë tonë,

përjetë e përgjithmonë.

Atë ditë, kumton Zoti,

do t’i mbledh të çalët e të zbuarit.

Edhe ata që ndëshkova,

tok do t’i mbledh.

Me të çalët do të përftoj tepricën,

të zbuarit do t’i bëj komb të fuqishëm

Zoti, në malin Sion,

do të mbretërojë mes tyre, tani e përjetë.

Te ti, o kulla e grigjës,

o kodra e bijës së Sionit,

te ti do të mbërrijë zotërimi i dikurshëm,

mbretëria e bijës së Jerusalemit.

Përse, pra, lëshon klithma?

A nuk paska mbret te ti,

a paska marrë fund këshilltari yt,

që dhimbjet si ato të lindjes të zënkan kështu?

10 Rënko e këlthit, si gruaja që lind, o bija e Sionit,

se nga qyteti do të ikësh

e në fusha do të banosh.

Në Babiloni do të ikësh

e atje do të shpëtosh.

Atje Zoti do të të shpengojë

nga dora e armikut tënd.

11 Tani, shumë kombe janë mbledhur kundër teje

e thonë: të poshtërohet Sioni! Të kënaqemi duke e parë!

12 Ata nuk i dinë shestimet e Zotit,

nuk i kuptojnë synimet e tij,

se ai i ka mbledhur,

porsi duaj në lëmë.

13 Ngrihu e shij, o bija e Sionit,

bririn do të ta bëj të hekurt,

thundrat e tua prej bronzi,

shumë kombe të dërrmosh.

Zotit do t’ia kushtosh fitimet e tyre,

Zotit të mbarë tokës, pasuritë e tyre.

14 c Tani, mblidhi trupatç, o bijë e çetave,

se jemi të rrethuar,

me skeptër e godasin në fytyrë,

gjykatësin e Izraelit».


 c4.14 të tjerë e rendisin si 5.1

 ç4.14 ose: gërvisht veten