Kundër krerëve
1 «Thashë: dëgjoni, o krerë të Jakobit,
e ju, o prijës të shtëpisë së Izraelit.
A nuk ju takon juve
ta njihni drejtësinë?
2 Ju, urryesit e mirësisë
e dashnorët e ligësisë,
e rripni popullin të gjallë,
mishin prej kockave ia shqyeni.
3 E hëngrët të gjallë popullin tim,
lëkurën ia rropët,
kockat ia thërrmuat,
në tavë e therët,
porsi mishin në vorbë.
4 Do ta thërrasin Zotin më vonë,
por nuk do t’u përgjigjet.
Do ta fshehë atëherë fytyrën prej tyre,
për shkak të ligësive që kryen.
5 Kështu thotë Zoti,
për profetët që mashtrojnë popullin tim,
që shpallin paqe veç kur kanë çka bluajnë me dhëmbë
e luftë kundër atij që s’u jep për të ngrënë.
6 Ndaj, do të bëhet natë e s’do të keni vegime,
errësirë e s’do të keni shorti.
Do t’u perëndojë dielli profetëve,
dita do t’u bëhet terr.
7 Vegimtarët do të turpërohen,
shortarët do të skuqen,
të tërë do të mbulojnë fytyrën,
se Perëndia s’do të përgjigjet.
8 Por, unë jam plot me fuqi e me shpirtin e Zotit,
plot me drejtësi e guxim,
për t’i treguar Jakobit shkeljen e tij,
Izraelit mëkatin e tij.
9 Dëgjoni, o krerë të shtëpisë së Jakobit,
e ju, o prijës të shtëpisë së Izraelit.
Ju, urryesit e drejtësisë
e shtrembëruesit e së drejtës.
10 Ju e ndërtoni Sionin me gjak
e Jerusalemin me padrejtësi.
11 Krerët japin gjykim me mitë,
priftërinjtë japin mësim me pagesë,
profetët bëjnë shorti me para
e prapë mbështeten në Zotin e thonë:
a s’është Zoti mes nesh?
Asnjë e keqe s’do të na gjejë!
12 Ndaj për fajin tuaj,
Sioni do të lërohet si arë,
Jerusalemi do të bëhet gërmadhë
e mali i tempullit pyll i dendur!».