Mos e gjyko tjetrin
(Lk 6.37-38, 41-42)
1 «Mos gjykoni, që të mos gjykoheni, 2 sepse siç gjykoni, do të gjykoheni, dhe me masën që do të matni, do të mateni. 3 Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 4 Dhe si mund t’i thuash vëllait tënd “më lër të ta heq ashklën nga syri” kur ke traun në syrin tënd? 5 Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd.
6 Mos u jepni qenve gjërat e shenjta e mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin e pastaj të kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë».
Lypni, kërkoni, trokitni
(Lk 11.9-13)
7 «Lypni e do t’ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t’ju hapet, 8 sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet. 9 Kush prej jush do t’i jepte gur fëmijës së vet po t’i kërkonte bukë? 10 Ose, do t’i jepte gjarpër po t’i kërkonte peshk? 11 Nëse ju, që jeni të këqij dini t’u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.
12 Bëjuni të tjerëve gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve. Në këtë përmblidhen ligji e profetët».
Dera e ngushtë
(Lk 13.24)
13 «Hyni nëpër derën e ngushtë, se e madhe është dera dhe e gjerë është udha që çon në humbje e të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të. 14 Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë».
Pema dhe frytet
(Lk 6.43-44)
15 «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë. 16 Ata do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet rrush nga ferrat apo fiq nga murrizat? 17 Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, ndërsa pema e kalbur jep fryte të këqija. 18 Pema e mirë nuk mund të japë fryte të këqija dhe as pema e kalbur nuk jep fryte të mira. 19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr. 20 Kështu, pra, prej fryteve të tyre do t’i njihni».
Nuk ju kam njohur
(Lk 13.25-27)
21 «Jo kushdo që më thotë: “O Zot, o Zot!”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. 22 Atë ditë shumë veta do të më thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd? A nuk dëbuam djajtë në emrin tënd? A nuk bëmë mrekulli në emrin tënd?”. 23 Atëherë do t’u them: “Kurrë nuk ju kam njohur, largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi”».
Dy shtëpitë
(Lk 6.47-49)
24 «Kushdo që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë në shkëmb. 25 Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat dhe u vërsulën kundër kësaj shtëpie, por ajo nuk u shemb, sepse i kishte themelet në shkëmb. 26 Kushdo që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të pamend që e ka ndërtuar shtëpinë në rërë. 27 Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat e u vërsulën kundër kësaj shtëpie, dhe ajo u shemb. I madh qe shkatërrimi i saj».
28 Dhe kur Jezui mbaroi së foluri, turmat mbetën të habitura nga mësimi i tij, 29 se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit.