Mateu 5

Predikimi në mal

(Mt 5—7)

Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. Atëherë mori fjalën e filloi t’i mësonte kështu:

Lumnitë

(Lk 6.20-23)

«Lum të varfrit në shpirt,

se e tyre do të jetë mbretëria e qiejve.

Lum ata që vajtojnë,

se do të ngushëllohen.

Lum të butët,

se do të trashëgojnë tokën.

Lum të uriturit e të eturit për drejtësi,

se do të ngihen.

Lum të mëshirshmit,

se do të mëshirohen.

Lum zemërdëlirët,

se do të shohin Perëndinë.

Lum paqebërësit,

se do të quhen bij të Perëndisë.

10 Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë,

se e tyre është mbretëria e qiejve.

11 Lum ju kur t’ju shajnë e t’ju përndjekin,

të thonë të gjitha të këqijat

kundër jush me gënjeshtra

për shkakun tim.

12 Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej.

Kështu përndoqën edhe profetët para jush».

Kripë dhe dritë

(Mk 9.50; Lk 14.34-35)

13 «Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. 14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. 15 Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. 16 Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej».

Ligji i Moisiut

17 «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t’i shfuqizuar, por për t’i përmbushur. 18 Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t’i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. 19 Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t’i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t’i zbatojë e do t’ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. 20 Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve».

Zemërimi

21 «Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. 22 Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vetç, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. 23 Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. 25 Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. 26 Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».

Tradhtia bashkëshortore

27 «Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. 28 Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. 29 Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. 30 Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë».

Divorci

(Mt 19.9; Mk 10.11-12; Lk 16.18)

31 «Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t’i japë asaj fletëndarjen. 32 Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».

Betimi

33 «Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. 34 Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, 35 as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. 36 Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. 37 Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu».

Shpagimi

(Lk 6.29-30)

38 «Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. 39 Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. 40 Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. 41 Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. 42 Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua».

Dashuria për armiqtë

(Lk 6.27-28, 32-36)

43 «Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. 44 Por unë po ju them: duajini armiqtë tuajd e lutuni për ata që ju përndjekin, 45 që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. 46 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç’shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 47 Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombevedh48 Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor».


 ç5.22 dorëshk. të tjera edhe: pa shkak

 d5.44 dorëshk. të tjera edhe: bekoni ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë

 dh5.47 dorëshk. të tjera: tagrambledhësit