Mateu 4

Tundimi i Jezuit

(Mk 1.12-13; Lk 4.1-13)

Pastaj, i shtyrë nga Shpirti, Jezui shkoi në shkretëtirë që të tundohej nga djalli. Pasi agjëroi për dyzet ditë e dyzet net, Jezuin e mori uria. Atëherë erdhi tunduesi tek ai e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaju këtyre gurëve të bëhen bukë». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar:

njeriu nuk jeton

vetëm me bukë,

por me çdo fjalë

që del nga goja e Perëndisë».

Pastaj djalli e çoi në qytetin e shenjtë, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar:

do t’i urdhërojë engjëjt e tij

të të ruajnë

dhe ata do të të mbajnë

në duart e tyre,

që mos të të ndeshë këmba në gur».

Jezui i tha: «Është shkruar:

mos e tundo Zotin,

Perëndinë tënd».

Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë e i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre. Dhe i tha Jezuit: «Do të t’i jap të gjitha këto nëse bie në gjunjë e më adhuron». 10 Atëherë Jezui i tha: «Shporru, Satan, sepse është shkruar:

adhuro Zotin, Perëndinë tënd,

dhe shërbeji vetëm atij».

11 Atëherë djalli u largua nga Jezui dhe, ja, erdhën engjëjt e i shërbenin.

Shërbesa në Galile

(Mk 1.14-15; Lk 4.14-15)

12 Kur Jezui dëgjoi se Gjonin e kishin burgosur, u largua për në Galile. 13 Nuk qëndroi në Nazaret, por shkoi për të jetuar në Kafarnaum, qytet pranë liqenitc, në tokën e Zabulonit e të Neftalimit, 14 që të përmbushej çfarë kishte thënë profeti Isai:

15 tokë e Zabulonit

dhe tokë e Neftalimit,

në rrugën drejt detit, përtej Jordanit,

Galile e kombeve!

16 Populli që ishte në errësirë

pa një dritë të madhe

dhe për ata që ishin

në vendin e hijes së vdekjes

zbardhi drita.

17 Që atëherë Jezui filloi të predikonte e të thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër».

Thirrja e katër peshkatarëve

(Mk 1.16-20; Lk 5.1-11)

18 Ndërsa po ecte bregut të liqenit të Galilesë, Jezui pa dy vëllezër, Simonin që quhej Pjetër dhe Andrean, vëllanë e tij, që po hidhnin rrjetat në liqen. Ata ishin peshkatarë. 19 Jezui u tha: «Ejani pas meje dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish». 20 Ata lanë menjëherë rrjetat e shkuan pas tij. 21 Pak më tutje Jezui pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, të vëllanë, që ishin në një varkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke arnuar rrjetat dhe i thirri. 22 Ata lanë menjëherë varkën dhe të atin e shkuan pas tij.

Jezui predikon dhe shëron

(Lk 6.17-19)

23 Jezui shkonte nëpër Galile duke mësuar njerëzit në sinagoga, duke shpallur ungjillin e mbretërisë e duke shëruar çdo sëmundje e lëngatë në popull. 24 Kështu, për të u hap fjala në gjithë Sirinë. Atëherë i sollën të gjithë të sëmurët, njerëz të prekur nga sëmundje e dhimbje të ndryshme, të pushtuar nga djalli, me sëmundjen e tokës e të paralizuar, dhe ai i shëroi. 25 Turma të mëdha njerëzish nga Galilea e Dekapoja, nga Jerusalemi, Judeja e përtej Jordanit, shkonin pas tij.


 c4.13 ose: detit edhe: rr. 18