Mateu 26

Vendimi për ta kapur

(Mk 14.1-2; Lk 22.1-2; Gjn 11.45-53)

Kur mbaroi së thëni këto fjalë, Jezui u tha dishepujve: «Ju e dini se pas dy ditësh është Pashka dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u kryqëzuar».

Atëherë kryepriftërinjtëc dhe pleqtë e popullit u mblodhën në oborrin e pallatit të kryepriftit që quhej Kajafa dhe së bashku vendosën ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».

Lyerja me mirrë

(Mk 14.3-9; Gjn 12.1-8)

Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua që mbante një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme dhe e derdhi mbi kokën e tij. Kur e panë këtë gjë, dishepujt u zemëruan e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? Kjo mirrë mund të ishte shitur shtrenjtë e paratë t’u jepeshin të varfërve». 10 Por Jezui e kuptoi se çfarë po thoshin e u tha: «Përse e mundoni këtë grua? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. 11 Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë. 12 Ajo e derdhi këtë mirrë mbi trupin tim dhe këtë e bëri për të më përgatitur për varrim. 13 Me të vërtetë po ju them se kudo të shpallet ky ungjill, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».

Juda përgatit tradhtinë

(Mk 14.10-11; Lk 22.3-6)

14 Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 e u tha: «Çfarë do të më jepni po t’jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. 16 Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.

Përgatitja e Pashkës

(Mk 14.12-21; Lk 22.7-14, 21-23; Gjn 13.21-30)

17 Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, dishepujt erdhën te Jezui e i thanë: «Ku dëshiron ta përgatisim darkën e Pashkës?». 18 Jezui u tha: «Shkoni në qytet te filani e i thoni: “Mësuesi thotë se koha ime është afruar. Unë dhe dishepujt e mi do ta bëjmë Pashkën në shtëpinë tënde”». 19 Dishepujt bënë siç i kishte urdhëruar Jezui dhe përgatitën Pashkën.

20 Në mbrëmje Jezui u ul në tryezë me të dymbëdhjetët 21 e ndërsa po hanin, tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju do të më tradhtojë». 22 Ata u trishtuan shumë e filluan ta pyesnin njëri pas tjetrit: «Mos jam unë, o Zot?». 23 Ai u përgjigj: «Ai që ngjeu kafshatën në të njëjtën pjatë me mua, ai do të më tradhtojë. 24 Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur». 25 Juda që e kishte tradhtuar, tha: «Mos jam unë, mësues?». Jezui i tha: «Ti vetë po e thua».

Darka e Zotit

(Mk 14.22-26; Lk 22.15-20; 1Ko 11.23-25)

26 Ndërsa po hanin, Jezui mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Merrni, hani, ky është trupi im». 27 Mori edhe kupën e pasi tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e tha: «Pini të gjithë prej kësaj. 28 Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes që derdhet për shumë njerëz për faljen e mëkateve. 29 Unë po ju them se nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re së bashku me ju në mbretërinë e Atit tim».

30 Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.

Parathënia e mohimit të Pjetrit

(Mk 14.27-31; Lk 22.31-34; Gjn 13.36-38)

31 Pastaj Jezui u tha: «Në këtë natë unë do t’u bëhem pengesë të gjithëve ju, sepse është shkruar:

do të godas bariun

dhe delet e tufës do të shpërndahen.

32 Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile». 33 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të bien, unë nuk do të bie kurrë». 34 Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». 35 Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë dishepujt.

Lutja në Gjetsemani

(Mk 14.32-42; Lk 22.39-46)

36 Pastaj Jezui shkoi bashkë me dishepujt në një vend që quhet Gjetsemani e u tha: «Rrini këtu, se unë po shkoj më tej për t’u lutur». 37 Ai mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi të ndiente trishtim e ankth. 38 Atëherë u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar me mua». 39 Pasi shkoi pak më tej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë u bëftë jo si dua unë, por si do ti».

40 Pastaj Jezui erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Atëherë i tha Pjetrit: «Nuk mundët të rrinit zgjuar me mua as edhe një orë? 41 Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». 42 Jezui shkoi për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse kjo kupë nuk mund të hiqet pa e pirë unë, atëherë u bëftë vullneti yt!».

43 Kur u kthye, i gjeti përsëri duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. 44 Pasi u largua përsëri, shkoi e u lut për të tretën herë me të njëjtat fjalë.

45 Pastaj erdhi te dishepujt e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, erdhi ora dhe Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 46 Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».

Tradhtia dhe kapja

(Mk 14.43-50; Lk 22.47-53; Gjn 18.3-12)

47 Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë të madhe, me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. 48 Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Atë kapni!». 49 Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Të përshëndes, mësues!» dhe e puthi. 50 Jezui i tha: «Mik, bëj atë që ke ardhur të bësh!». Ata erdhën, e kapën Jezuin dhe e ndalën. 51 Dhe ja, njëri nga ata që ishin me Jezuin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 52 Atëherë Jezui i tha: «Ktheje shpatën ku e kishe, se të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53 A mendoni se nuk mund t’i lutem Atit tim të më dërgojë menjëherë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Por si do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se duhet të ndodhë kështu?».

55 Atëherë Jezui u tha turmave: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? Unë isha çdo ditë në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. 56 Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen shkrimet e profetëve».

Atëherë të gjithë dishepujt e braktisën e ikën.

Para sinedrit

(Mk 14.53-65; Lk 22.54-55, 63-71; Gjn 18.13-14, 19-24)

57 Pastaj, ata që e kishin kapur e çuan Jezuin te kryeprifti Kajafa ku ishin mbledhur shkruesit e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi Jezuin nga larg deri tek oborri i pallatit të kryepriftit dhe pasi u fut brenda, u ul mes shërbëtorëve për të parë si do të mbaronte kjo gjë.

59 Kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, 60 por nuk gjetën asnjë, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Në fund dolën dy veta 61 e thanë: «Ky njeri ka thënë: “Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë e ta ndërtoj për tri ditë”».

62 Atëherë kryeprifti u ngrit e tha: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». 63 Jezui heshti. Kryeprifti i tha: «Të përbej për Perëndinë e gjallë, na thuaj a je ti Krishti, Biri i Perëndisë?». 64 Jezui i tha: «Ti vetë po e thua. Por unë po ju them se

që tani e tutje

do ta shihni Birin e njeriut

të ulur në të djathtën

e Perëndisë së pushtetshëm,

duke ardhur mbi retë e qiellit».

65 Atëherë kryeprifti shqeu rrobat e tha: «Fyeu Perëndinë! Ç’na duhen më dëshmitarët? Ju e dëgjuat tani fyerjen që i bëri Perëndisë. 66 Çfarë mendoni?». Ata iu përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67 Atëherë filluan ta pështynin në fytyrë e ta godisnin me grushte. Disa i binin me shuplaka 68 e i thoshin: «Gjejeç kush të goditi, o Krisht?».

Mohimi i Pjetrit

(Mk 14.66-72; Lk 22.56-62; Gjn 18.15-18, 25-27)

69 Pjetri rrinte ulur përjashta në oborr. Një shërbëtore erdhi tek ai e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70 Por Pjetri e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç’po thua!». 71 Kur po dilte nga porta, atë e pa një shërbëtore tjetër e u tha atyre që ishin aty: «Ky njeri ishte me Jezuin e Nazaretit». 72 Por Pjetri e mohoi përsëri duke u betuar: «Unë nuk e njoh këtë njeri». 73 Pas pak, ata që ishin aty iu afruan Pjetrit e i thanë: «Patjetër je një prej tyre se dukesh nga e folmja». 74 Pastaj Pjetri filloi të mallkonte e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri».

Atë çast këndoi gjeli 75 dhe Pjetrit iu kujtuan fjalët e Jezuit: «Përpara se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.


 c26.3 dorëshk. të tjera edhe: shkruesit

 ç26.68 ose: Profetizo