Mateu 14

Vrasja e Gjon Pagëzorit

(Mk 6.14-29; Lk 9.7-9)

Atëherë Herod Tetrarku dëgjoi për Jezuin e u tha shërbëtorëve të vet: «Ky është Gjon Pagëzori. Ai është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». Në të vërtetë Herodi e kishte kapur Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte futur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet, sepse Gjoni i kishte thënë: «Nuk të lejohet ta marrësh për grua». Herodi donte ta vriste, por kishte frikë nga populli që e mbante Gjonin për profet. Por kur festohej ditëlindja e Herodit, vajza e Herodiadës kërceu para të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit aq shumë, sa i premtoi me betim t’i jepte çfarëdo që t’i kërkonte. Ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: «Më jep këtu në një pjatë kokën e Gjon Pagëzorit». Mbretit i erdhi keq, por, për shkak të betimit dhe të të ftuarve, urdhëroi t’ia jepnin. 10 Ai dërgoi dikë që ia preu kokën Gjonit në burg. 11 Kokën e tij e sollën në një pjatë, ia dhanë vajzës dhe ajo ia çoi së ëmës. 12 Pastaj erdhën dishepujt e Gjonit, e morën trupin, e varrosën dhe shkuan e i treguan Jezuit.

Ushqimi i pesë mijë vetave

(Mk 6.30-44; Lk 9.10-17; Gjn 6.1-14)

13 Kur i dëgjoi këto, Jezui u largua që andej me varkë dhe u tërhoq mënjanë në një vend të shkretë. Por turmat, kur e morën vesh, i shkuan pas më këmbë nga qytetet. 14 Si arriti në breg, pa një turmë të madhe. Ndjeu dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre. 15 Në mbrëmje erdhën dishepujt e i thanë: «Ky vend është i shkretë e tashmë është bërë vonë. Lëri turmat të shkojnë nëpër fshatra e të blejnë ushqim». 16 Jezui u tha: «Nuk është nevoja të shkojnë, jepuni ju të hanë». 17 Ata i thanë: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq me vete». 18 Jezui tha: «M’i sillni këtu». 19 Pastaj, si i urdhëroi turmat të uleshin në bar, mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukën, ua dha dishepujve dhe dishepujt ua dhanë turmave. 20 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Me copat e bukës që tepruan u mbushën plot dymbëdhjetë shporta. 21 Ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave e fëmijëve.

Ecja mbi ujë

(Mk 6.45-52; Gjn 6.15-21)

22 Pastaj Jezui u dha urdhër dishepujve të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, derisa ai të shpërndante turmat. 23 Pasi shpërndau turmat, u ngjit i vetëm në mal për t’u lutur. Në mbrëmje ai ishte ende aty i vetëm, 24 ndërsa varka ishte tashmë shumë larg bregut dhe rrihej prej dallgëve, se era ishte kundër. 25 Në agimn, Jezui erdhi tek ata duke ecur mbi liqen. 26 Por kur e panë dishepujt duke ecur mbi liqen, u tmerruan e thanë: «Është fantazmë!». Dhe bërtitën nga frika. 27 Por menjëherë Jezui u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 28 Pjetri u përgjigj: «Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujë». 29 Jezui i tha: «Eja!». Pjetri zbriti nga varka, eci mbi ujë e shkoi te Jezui, 30 por kur pa erën e fortë, u tremb dhe teksa filloi të fundosej, bërtiti: «Zot, më shpëto!». 31 Menjëherë, Jezui zgjati dorën, e kapi e i tha: «Përse dyshove, o besimpakët?». 32 Kur hipën në varkë, era pushoi. 33 Ata që gjendeshin në varkë i ranë në gjunjë e i thanë: «Ti je me të vërtetë Biri i Perëndisë».

Shërimi në Gjenesaret

(Mk 6.53-56)

34 Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit. 35 Kur e njohën, njerëzit e atij vendi çuan fjalë në të gjithë krahinën përreth, i sollën të gjithë të sëmurët 36 e iu lutën që të mund t’i preknin vetëm cepin e gunës. Kështu, ata që e prekën, u shëruan.


 n14.25 ose: në rojën e katërt të natës