Jezui dhe e shtuna
(Mk 2.23-28; Lk 6.1-5)
1 Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. 2 Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». 3 Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? 4 Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t’i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? 6 Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. 7 Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. 8 Biri i njeriut është Zot i të shtunës».
Njeriu me dorë të tharë
(Mk 3.1-6; Lk 6.6-11)
9 Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre. 10 Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?». 11 Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t’i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte? 12 Sa herë më shumë vlen një njeri se një dele? Prandaj është e lejueshme të bësh mirë të shtunën». 13 Pastaj i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe ajo u shërua tërësisht si tjetra. 14 Atëherë farisenjtë dolën përjashta dhe u këshilluan me njëri-tjetrin që ta vrisnin.
Shërbëtori i zgjedhur
15 Kur e mori vesh këtë gjë, Jezui u largua që andej. Turma të mëdha e ndoqën pas e ai i shëroi të gjithë të sëmurët 16 dhe i urdhëroi rreptësisht që të mos u tregonin të tjerëve për të. 17 Kjo ndodhi që të përmbushej çfarë qe thënë përmes profetit Isai:
18 ja shërbëtori që unë kam zgjedhur,
i dashuri im,
me të cilin shpirti im është i kënaqur.
Tek ai do të vë Shpirtin tim
dhe ai do t’u shpallë drejtësinë kombeve.
19 Nuk do të ankohet,
as do të bërtasë.
Askush nuk do ta dëgjojë në rrugë
zërin e tij.
20 Nuk do ta thyejë
kallamin e shkelur
e as do ta shuajë
flakëzën që nxjerr tym,
derisa të ngadhënjejë e drejta.
21 E në emrin e tij
do të shpresojnë kombet.
Jezui dhe Beelzebuli
(Mk 3.20-30; Lk 11.14-23; 12.10)
22 Pastaj i sollën një shurdhmemec të verbër, të pushtuar nga djalli. Jezui e shëroi dhe ai filloi të fliste e të shikonte. 23 Të gjithë njerëzit u mahnitën e thanë: «A mos është ky Biri i Davidit?». 24 Por kur e dëgjuan këtë gjë, farisenjtë thanë: «Ky i dëbon djajtë vetëm me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve». 25 Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe asnjë qytet a shtëpi që është e përçarë nuk mund të qëndrojë në këmbë. 26 Nëse Satani dëbon Satanin, do të thotë se është i përçarë. E si mund të qëndrojë, atëherë, mbretëria e tij? 27 Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj këta do të jenë gjykatësit tuaj. 28 Por, nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Shpirtit të Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju. 29 Si mund të hyjë dikush në shtëpinë e një njeriu të fortë e ta plaçkitë, pa e lidhur më parë të fortin? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkitë shtëpinë.
30 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk mbledh me mua, shpërndan. 31 Prandaj po ju them se njerëzve do t’u falet çdo mëkat e fyerje ndaj Perëndisë, por nuk do t’u falet fyerja ndaj Shpirtit. 32 Kushdo që thotë një fjalë kundër Birit të njeriut, do të falet, por ai që flet kundër Shpirtit të shenjtë, nuk do të falet as në këtë jetë e as në jetën që vjen».
Pema njihet nga frytet
(Lk 6.43-45)
33 «Po të jetë pema e mirë, do të merrni fryte të mira. Po të jetë pema e kalbur, do të merrni fryte të këqija, sepse pema njihet nga frytet që jep. 34 Pjellë nepërkash! E si mund të flisni mirë nëse jeni të këqij? Ç’ka zemra, nxjerr goja. 35 Njeriu i mirë nxjerr të mira nga thesari i tij i mirë dhe njeriu i keq nxjerr të këqija nga thesari i tij i keq. 36 Unë po ju them se në ditën e gjykimit njerëzit do të përgjigjen për çdo fjalë të kotë që do të thonë, 37 se nga fjalët tuaja do të bëheni të drejtë e nga fjalët tuaja do të dënoheni».
Një shenjë
(Mk 8.11-12; Lk 11.29-32)
38 Pastaj disa shkrues e farisenj i thanë: «Mësues, duam të shohim një shenjë prej teje». 39 Por ai u përgjigj: «Kjo brezni e ligë dhe e pafe kërkon shenjë, por asaj nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona. 40 Ashtu si Jonai ndenji tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu do të rrijë edhe Biri i njeriut tri ditë e tri net në zemër të tokës. 41 Banorët e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë atë, sepse ata u penduan pas predikimit të Jonait. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai. 42 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë atë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni».
Kthimi i shpirtit të ndyrë
(Lk 11.24-26)
43 «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje, por nuk gjen. 44 Atëherë thotë: “Do të kthehem te shtëpia ime, prej nga dola”. Kur vjen, e gjen shtëpinë të zbrazët, të pastruar e të zbukuruar. 45 Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja. Kështu do t’i ndodhë edhe kësaj breznie të ligë».
E ëma dhe vëllezërit
(Mk 3.31-35; Lk 8.19-21)
46 Ndërsa Jezui po u fliste ende turmave, përjashta prisnin e ëma dhe vëllezërit e tij që kërkonin të flisnin me të. 47 Dikush i tha: «Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e duan të flasin me ty». 48 Por Jezui iu përgjigj: «Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?». 49 Pastaj shtriu dorën drejt dishepujve e tha: «Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. 50 Kushdo që bën vullnetin e Atit tim, që është në qiej, është vëllai im, motra ime e nëna ime».