Marku 6

Profeti dhe vendlindja

(Mt 13.53-58; Lk 4.16-30)

Si iku që andej, Jezui shkoi në vendlindjen e tij dhe dishepujt i shkuan pas. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë njerëzit në sinagogë e shumë nga ata që e dëgjonin mrekulloheshin e thoshin: «Nga i vijnë këto gjëra? Ç’është kjo dituri që i është dhënë e këto mrekulli që bëhen prej duarve të tij? A nuk është ky zdrukthëtari, i biri i Marisë, vëllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë edhe motrat e tij këtu te ne?». Dhe kjo i pengonte të besonin në të. Por Jezui u tha: «Asnjë profet nuk përçmohet askund, përveçse në vendlindjen e tij, te të afërmit e tij e në shtëpinë e tij». Dhe atje nuk mundi të bënte asnjë mrekulli, përveçse shëroi disa të sëmurë, duke vënë duart mbi ta. Ai u çudit për shkak të mosbesimit të tyre.

Dërgimi i të dymbëdhjetëve

(Mt 10.1, 5-15; Lk 9.1-6)

Kështu, Jezui shkonte nëpër fshatra e mësonte njerëzit. Ai i thirri pranë vetes të dymbëdhjetët e filloi t’i dërgojë dy nga dy. U dha pushtet mbi shpirtrat e ndyrë e i porositi që të mos merrnin asgjë me vete për udhëtim përveç një shkopi, të mos merrnin as bukë, as trastë, as para në brez, por të vishnin sandalet e të mos mbanin dy tunika. 10 Pastaj u tha: «Qëndroni në shtëpinë ky hyni, derisa të niseni prej aty. 11 E nëse ka ndonjë vend ku nuk do t’ju pranojnë e nuk do t’ju dëgjojnë, kur të dilni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi për tae».

12 Dishepujt u nisën e predikonin që njerëzit të pendoheshin 13 si dhe dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin.

Vrasja e Gjon Pagëzorit

(Mt 14.1-12; Lk 9.7-9)

14 Mbreti Herod dëgjoi për Jezuin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur e disa thoshin: «Gjon Pagëzori është ngjallur prej të vdekurve, prandaj veprojnë këto fuqi në të». 15 Disa të tjerë thoshin: «Ky është Elia». Dhe të tjerë: «Ky është profet si profetët e tjerë». 16 Kur i dëgjoi këto gjëra, Herodi tha: «Ky është Gjoni, të cilit i preva kokën dhe është ngjallur». 17 Në të vërtetë, Herodi ishte ai që kishte dërguar njerëz për ta kapur Gjonin, për ta lidhur e për ta futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, me të cilën ishte martuar. 18 Gjoni i kishte thënë Herodit: «Nuk të lejohet të marrësh gruan e vëllait tënd». 19 Herodiada e urrente për këtë dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20 se Herodi e kishte frikë Gjonin, meqenëse e njihte si njeri të drejtë e të shenjtë; prandaj e mbronte. Atij nuk i vinte mirë nga ato që dëgjonte prej Gjonit, por e dëgjonte me ëndje.

21 Një ditë erdhi rasti i duhur kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një darkë për të mëdhenjtë, për kryemijësit e për parinë e Galilesë. 22 Bija e Herodiadës kërceu një valle që i pëlqeu Herodit e të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës: «Më kërko çfarë të duash e unë do të ta jap». 23 Dhe iu betua: «Çfarëdo që të më kërkosh do të ta jap, deri edhe gjysmën e mbretërisë sime!». 24 Ajo doli e i tha së ëmës: «Çfarë të kërkoj?». Ajo i tha: «Kokën e Gjon Pagëzorit». 25 Në çast u kthye me nxitim te mbreti e i bëri këtë kërkesë: «Dua që të më japësh menjëherë kokën e Gjon Pagëzorit në një pjatë». 26 Mbreti u trishtua shumë, por nuk deshi ta shkelte premtimin për shkak të betimit e të të ftuarve. 27 Menjëherë mbreti dërgoi një rojë dhe e urdhëroi të sillte kokën e Gjonit. Roja shkoi e ia preu kokën në burg, 28 pastaj e solli kokën e tij në një pjatë, ia dha vajzës e vajza së ëmës.

29 Dishepujt e Gjonit, sapo e morën lajmin, erdhën e morën kufomën e tij dhe e vunë në një varr.

Ushqimi i pesë mijë vetave

(Mt 14.13-21; Lk 9.10-17; Gjn 6.1-14)

30 Apostujt u mblodhën pranë Jezuit e i treguan për gjithçka kishin bërë e u kishin mësuar njerëzve. 31 Ai u tha: «Ejani veçmas në një vend të vetmuar që të pushoni pak!». Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin. 32 Kështu u nisën me varkë drejt një vendi të shkretë për të ndenjur vetëm. 33 Kur i panë se po largoheshin, shumë veta e kuptuan këtë dhe nga të gjitha qytetet vrapuan e arritën përpara tyreë.

34 Ndërsa po zbrisnin nga varka, Jezui pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, se ishin si delet pa bari. Atëherë filloi t’u mësonte shumë gjëra. 35 Tashmë ishte bërë vonë, prandaj dishepujt iu afruan e i thanë: «Vendi është i shkretë e është bërë vonë. 36 Lëri të shkojnë nëpër fushat e fshatrat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë!». 37 Ai u përgjigj: «Jepuni ju të hanë!». Ata i thanë: «A të shkojmë të blejmë dyqind denarë bukë, që t’u japim për të ngrënë?». 38 Jezui u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shikoni». Ata e dinin, prandaj i thanë: «Pesë bukë e dy peshq». 39 Atëherë ai u dha urdhër dishepujve t’i ulnin të gjithë në grupe mbi barin e gjelbër. 40 Ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë. 41 Pasi mori pesë bukët e dy peshqit, Jezui ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, theu bukët e ua dha dishepujve të vet, që t’i shtronin. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve. 42 Të gjithë hëngrën e u ngopën 43 dhe mblodhën copat që tepruan, aq sa u mbushën dymbëdhjetë shporta, bashkë me çka teproi nga peshqit.

44 Ata që hëngrën bukët ishin pesë mijë burra.

Ecja mbi ujë

(Mt 14.22-33; Gjn 6.15-21)

45 Menjëherë Jezui i urdhëroi dishepujt të hipnin në varkë e të shkonin përpara tij në bregun tjetër, nga ana e Betsaidës, derisa ai të shpërndante turmën. 46 Si u nda prej tyre, shkoi në mal për t’u lutur.

47 Kur ra mbrëmja, varka ishte në mes të liqenit dhe ai gjendej i vetëm në breg. 48 Jezui pa se dishepujt ishin lodhur duke vozitur, se kishin erën kundër dhe, në të gdhirëf, erdhi drejt tyre duke ecur mbi liqen e donte t’i kalonte. 49 Kur e panë duke ecur mbi liqen, menduan se ishte fantazmë e bërtitën, 50 sepse të gjithë e kishin parë e ishin trembur. Por menjëherë ai u tha: «Merrni zemër! Jam unë. Mos kini frikë!». 51 Pastaj hipi në varkë tek ata dhe era pushoi. Ata u çuditën së tepërmi.

52 Nuk kishin kuptuar asgjë për bukët, se zemra e tyre ishte ngurtësuar.

Shërimi në Gjenesaret

(Mt 14.34-36)

53 Si kaluan në bregun tjetër, arritën në krahinën e Gjenesaretit dhe lidhën varkën. 54 Sapo dolën nga varka, njerëzit e njohën menjëherë Jezuin 55 dhe vrapuan nëpër gjithë atë krahinë e filluan të mbartnin të sëmurët në vigje e t’ia sillnin kudo që merrnin vesh se ishte. 56 Kudo që hynte, në fshatra, në qytete a nëpër ara, vendosnin të sëmurët nëpër sheshe e i luteshin t’i preknin së paku cepin e gunës. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.


 e6.11 dorëshk. të tjera edhe: Me vërtetë ju them se ditën e gjyqit për Sodomën dhe Gomorrën, do të jetë më e lehtë sesa për këtë qytet

 ë6.33 dorëshk. të tjera edhe: dhe u mblodhën rreth tij

 f6.48 ose: aty nga roja katërt e natës