Ngjallja
(Mt 28.1-8; Lk 24.1-12; Gjn 20.1-10)
1 Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit dhe Salomeja blenë vajra erëmirë, që të shkonin për të lyer trupin e Jezuit. 2 Të dielënz, herët në mëngjes, shkuan te varri sapo kishte lindur dielli. 3 Ato i thanë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga gryka e varrit?». 4 Por panë e vunë re se guri ishte rrokullisur, edhe pse ishte tepër i madh. 5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh të veshur me një rrobë të bardhë që rrinte ulur në të djathtë e u shtangën. 6 Por ai u tha: «Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezuin e Nazaretit, të kryqëzuarin. Ai u ngjall. Nuk është këtu. Ja vendi ku e kishin vënë. 7 Tani shkoni, u thoni dishepujve të tij e Pjetrit se ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, siç ju ka thënë». 8 Ato dolën e ikën nga varri, se ishin të frikësuara e të tmerruara. Nga frika nuk i thanë gjë askujt.
Maria Magdalena
(Mt 28.9-10; Gjn 20.11-18)
9 Pasi u ngjall në mëngjesin e së dielës, Jezui iu shfaq në fillim Maria Magdalenës, prej së cilës kishte dëbuar shtatë djaj. 10 Kjo shkoi të lajmëronte ata që kishin ndenjur me të që ishin në zi e vajtonin. 11 Kur dëgjuan se Jezui ishte gjallë dhe se ajo e kishte parë, ata nuk deshën ta besonin.
Dy dishepujt
(Lk 24.13-35)
12 Pas këtyre, Jezui iu shfaq në një trajtë tjetër dy dishepujve që po ecnin drejt fshatit. 13 Edhe ata u kthyen për të lajmëruar të tjerët, por as këtyre nuk deshën t’u besonin.
Porosia
(Mt 28.16-20; Lk 24.36-49; Gjn 20.19-23; Vp 1.6-8)
14 Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve, ndërsa po hanin, e i qortoi për mosbesimin e tyre e për ngurtësinë e zemrës, ngaqë nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ngjallur. 15 Jezui u tha: «Shkoni në të gjithë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese. 16 Ai që do të besojë e do të pagëzohet, do të shpëtojë; por ai që nuk do të besojë, do të dënohet. 17 Këto do të jenë shenjat që do të shoqërojnë ata që besojnë: do të dëbojnë djaj në emrin tim, do të flasin gjuhë të reja, 18 do të marrin gjarpërinj në duar dhe, po të pinë ndonjë helm, nuk do t’u bëjë dëm, do të vënë duart mbi të sëmurët e këta do të shërohen».
Ngritja në qiell
(Lk 24.50-53; Vp 1.9-11)
19 Zoti Jezu, pasi foli me ta, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtën e Perëndisë. 20 Atëherë ata u nisën e predikuan kudo, ndërsa Zoti vepronte së bashku me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin.