Marku 15

Te Pilati

(Mt 27.1-2; 11.14; Lk 23.1-5; Gjn 18.28-38)

Në mëngjes herët kryepriftërinjtë së bashku me pleqtë, shkruesit dhe gjithë sinedrin, pasi u këshilluan, e lidhën Jezuin, e morën e ia dorëzuan Pilatit. Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». Ndërkaq kryepriftërinjtë e padisnin për shumë gjëra. Dhe Pilati e pyeti përsëri: «Nuk po jep asnjë përgjigje? Shiko për sa gjëra po të padisin». Por Jezui nuk iu përgjigj për asgjë, gjë që e çuditi shumë Pilatin.

Dënimi me vdekje

(Mt 27.15-26; Lk 23.13-25; Gjn 18.39; 19.16)

Për çdo festë Pashke Pilati lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. Një njeri që quhej Barabë gjendej në burg bashkë me disa kryengritës të tjerë, të cilët kishin bërë një vrasje në një kryengritje. Atëherë erdhi turma e filloi t’i kërkonte Pilatit atë që ai e kishte zakon të bënte për ta. Pilati i pyeti: «A doni t’ju liroj mbretin e judenjve?». 10 Sepse ai e kishte kuptuar se kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Jezuin nga smira. 11 Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën që në vend të tij të lironte Barabën. 12 Pilati u tha përsëri: «Atëherë çfarë doni të bëj me atë që e quani mbret të judenjve?». 13 Ata thirrën përsëri: «Kryqëzoje!». 14 Por Pilati u tha: «Përse, ç’të keqe ka bërë?». Atëherë ata thirrën edhe më fort: «Kryqëzoje!». 15 Kështu Pilati, për të kënaqur turmën, liroi Barabën dhe, pasi e fshikulluan Jezuin, e dorëzoi që ta kryqëzonin.

Tallja

(Mt 27.27-31; Gjn 19.2-3)

16 Atëherë ushtarët e morën Jezuin dhe e futën në oborrin e pallatit, domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. 17 E veshën me purpur dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë. 18 Pastaj filluan t’i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». 19 E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe duke rënë në gjunjë, përkuleshin para tij. 20 Pasi e tallën, ia hoqën petkun e purpurt dhe e veshën me rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.

Kryqëzimi

(Mt 27.32-44; Lk 23.26-43; Gjn 19.17-27)

21 Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit. 22 Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës» 23 dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.

24 Pastaj e kryqëzuan

dhe hodhën short

për të ndarë rrobat e tij,

që të shihnin

çfarë do t’i binte secilit.

25 Ishte ora nëntë e mëngjesit kur e kryqëzuan. 26 Mbishkrimi me shkakun e dënimit thoshte: «Mbreti i judenjve». 27-28 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tijy29 Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, 30 shpëto veten e zbrit nga kryqi!». 31 Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. 32 Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.

Vdekja

(Mt 27.45-46; Lk 23.44-49; Gjn 19.28-30)

33 Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites. 34 Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eloi, Eloi lema sabakthani?» që e përkthyer do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise?». 35 Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë». 36 Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur». 37 Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt. 38 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë. 39 Kryeqindësi që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë». 40 Aty gjendeshin edhe disa gra që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Salomeja, 41 të cilat e kishin ndjekur e i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem.

Varrimi

(Mt 27.57-61; Lk 23.50-56; Gjn 19.38-42)

42 Tashmë kishte rënë mbrëmja dhe ishte e premte, domethënë vigjilja e së shtunës. 43 Jozefi nga Arimateja, anëtar i respektuar i sinedrit, që gjithashtu priste mbretërinë e Perëndisë, shkoi me guxim te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. 44 Pilati, i çuditur që tashmë kishte vdekur, thirri kryeqindësin dhe e pyeti nëse kishte shumë kohë që kishte vdekur. 45 Pasi u njoftua nga kryeqindësi, ia dha kufomën Jozefit. 46 Ky bleu një pëlhurë prej liri, e zbriti kufomën nga kryqi dhe pasi e mbështolli, e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur mbi grykën e varrit. 47 Ndërkaq, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Josesë, e panë ku e vunë Jezuin.


 y15.27 dorëshk. të tjera edhe: 28 Kështu u përmbush ky Shkrim: Ai u numërua me keqbërësit