Lajmëtari
1 «Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim, që të përgatisë udhën para meje. Dhe Zoti, që kërkoni, do të vijë befas në tempullin e tij. Lajmëtari i besëlidhjes, që dëshironi, tashmë ka ardhur, thotë Zoti i ushtrive. 2 Kush do ta durojë ditën kur vjen ai? Kush do t’i bëjë ballë kur ai të dëftohet? Ai është si zjarri rafinues, porsi finja larëse.
3 Do të vijë si pastrues e rafinues i argjendit. Do t’i pastrojë e do t’i kullojë bijtë e Levit porsi arin e argjendin, që të jenë të drejtë kur t’i sjellin fli Zotit. 4 Atëherë flija e Judës dhe e Jerusalemit do t’i pëlqejë Zotit, si në kohët e moçme, si në vitet e shkuara.
5 Do të vij te ju për t’ju gjykuar. I gatshëm do të jem për të dëshmuar kundër shortarëve, kurorëshkelësve e besëshkalëve, kundër atyre që mashtrojnë mëditësin, të venë e jetimin, kundër atyre që zbojnë të ardhurin e që nuk më druajnë, thotë Zoti i ushtrive.
6 Unë, Zoti, s’kam ndryshuar e ju jeni endeb bijtë e Jakobit! 7 Që prej kohës së etërve tuaj, ju i kthyet shpinën rregullave të mia e nuk i mbajtët. Kthehuni tek unë e unë do të kthehem te ju, thotë Zoti i ushtrive, por ju thoni: “Si të kthehemi?”.
8 A thua njeriu e grabit Perëndinë? Ju, pra, po më grabitni! E ju thoni: “Si po të grabitim?”. Në të dhjetat e në kushtimet. 9 Të ka zënë mallkimi e prapë mbarë kombi yt më grabit. 10 Silleni tërë të dhjetën në drithnik, që të ketë bukë në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë, thotë Zoti i ushtrive, po nuk jua hapa kanatet e qiejve e po nuk derdha mbi ju bekim me mbushulli. 11 Do ta ndal brejtësin e ushqimit, që të mos ju shkatërrojë frytin e tokës dhe vreshtat të mos ju dështojnë, thotë Zoti i ushtrive. 12 Mbarë kombet do të të quajnë të lum, sepse do te jesh një vend i admirueshëm, thotë Zoti i ushtrive.
13 Keni folur rëndë kundër meje, thotë Zoti, por ju thoni: “Si folëm kundër teje?”. 14 Ju thatë: “Është e kotë t’i shërbesh Perëndisë. Çfarë përfitojmë nëse i mbajmë urdhërimet e tij apo ecim në zi para Zotit të ushtrive? 15 Prandaj, tani, ne quajmë të lum krenarët. Keqbërësit begatojnë. Edhe pse e tundojnë Perëndinë, ata shpëtojnë!”.
16 Atëherë ata që e druajnë Zotin folën me njëri-tjetrin. Zoti i vuri re dhe i dëgjoi. Një libër përkujtimor u shkrua para tij për ata që druajnë Zotin dhe emrin e tij nderojnë. 17 Ditën kur unë do të përgatis thesarin ata do të më përkasin mua, thotë Zoti i ushtrive. Do të kem dhembshuri për ta, siç i dhimbset kujtdo biri që i shërben. 18 Atëherë do të vësh re sërish, dallimin mes të drejtëve e të paudhëve, mes atyre që i shërbejnë Perëndisë e atyre që nuk i shërbejnë.
19 c Ja, po vjen dita, ajo është ndezur flakë porsi furrnaltë. Mbarë krenarët e keqbërësit do të bëhen si kashta. Dita që vjen, thotë Zoti i ushtrive, do t’i djegë me rrënjë e me degë. 20 Por, për ju që druani emrin tim, do të lindë dielli i drejtësisë që sjell shërim me rrezet e tij. Do të lodroni porsi viçat që dalin prej stallës. 21 Do të shkelni mbi të paudhët, se hi do të jenë ata nën këmbët tuaja në ditën që po përgatis, thotë Zoti i ushtrive. 22 Kujtoni ligjin e Moisiut, shërbëtorit tim. Atij ia dhashë rregullat dhe vendimet në Horeb për gjithë Izraelin. 23 Ja, unë do të dërgoj te ju profetin Eli, përpara se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit. 24 Ai do t’i pajtojë etërit me fëmijët dhe fëmijët me etërit, që kur të vij të mos e godas tokën me shkatërrim».