Malakia 2

«Tani, ky është urdhri për ju, o priftërinj! Nëse nuk dëgjoni e nuk tregoni kujdes, për t’i dhënë lavdi emrit tim, thotë Zoti i ushtrive, do të çoj mallkim mes jush. Do t’i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t’i mallkoj, se nuk treguat kujdes. Ja, për faj tuaj do t’i qortoj pasardhësit tuaj. Do t’jua hedh në fytyrë jashtëqitjen, rropullitë e flive të festave tuaja dhe do të hiqeni tej bashkë me to.

Pranojeni, pra, këtë urdhër, që besëlidhja ime me Levin të mbetet, thotë Zoti i ushtrive. Besëlidhja ime me të ishte për paqe e jetë, të cilat unë ia dhashë. Ishte besëlidhje për të më druajtur e ai pati drojë. Ai e nderoi emrin tim. Mësimi i vërtetë ishte në gojën e tij, nuk gjendej padrejtësi në buzët e tij. Eci me mua në paqe e drejtësi dhe ktheu shumë vetë prej paudhësisë. Buzët e priftit duhet ta ruajnë njohurinë, njerëzit mësojnë udhëzime prej gojës së tij, sepse ai është lajmëtari i Zotit të ushtrive. Por, ju e latë udhën dhe penguat shumë vetë me mësimet që dhatë. E shkelët besëlidhjen e Levit, thotë Zoti i ushtrive, prandaj unë do t’ju përbuz e do t’ju përul para tërë popujve, sepse nuk i ndoqët udhët e mia, por u treguat të njëanshëm në çështjet e ligjit.

Pabesia e Judës

10 A nuk kemi të njëjtin atë të gjithë ne? A nuk na krijoi i njëjti Perëndi? Përse pra, jemi të pabesë me njëri-tjetrin duke e përdhosur besëlidhjen e etërve tanë? 11 Juda është i pabesë. Një mëkat i neveritshëm u krye në Izrael e në Jerusalem, se Juda e përdhosi shenjtëroren që Zoti do dhe u martua me bijën e zotit të huaj. 12 E zhbiftë Zoti prej tendave të Jakobit këdo që bën këtë, atë që jep kushtrimin e atë që përgjigjet, edhe atë që kushton flijime para Zotit të ushtrive.

13 Për më tepër, ju e mbuloni me lot altarin e Zotit duke vajtuar e rënkuar, sepse ai nuk e sheh dhe nuk e pranon me kënaqësi flinë prej dorës suaj. 14 E ju thoni: “Përse?”. Sepse Zoti është dëshmitar mes teje e gruas së rinisë sate, me të cilën u tregove i pabesë, ndonëse është bashkëshortja dhe gruaja e besëlidhjes sate. 15 A nuk ju bëri Perëndia një në shpirt? Përse një? Sepse kërkon pasardhës të përkushtuar ndaj Perëndisë, prandaj ruajeni shpirtin tuaj. Mos u tregoni të pabesë me gruan e rinisë. 16 Ai që e urrena dhe e ndan të shoqen, thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, e mbulon veten me dhunë, thotë Zoti i ushtrive. Ruajeni shpirtin tuaj e mos u tregoni të pabesë.

17 E mërzitët Zotin me fjalët tuaja, por ju thoni: “Si e mërzitëm?”. Kur thoni: “Kushdo që bën paudhësi është i mirë para Zotit dhe ai kënaqet me ta” ose: “Ku është Perëndia i drejtësisë?!”».


 a2.16 ose: E urrej ndarjen, thotë Zoti