Dërgimi i të dymbëdhjetëve
(Mt 10.5-15; Mk 6.7-13)
1 Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet. 2 Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. 3 Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika. 4 Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty. 5 Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre».
6 Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo.
Shqetësimi i Herodit
(Mt 14.1-12; Mk 6.14-29)
7 Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve, 8 disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër. 9 Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte.
Ushqimi i pesë mijë vetave
(Mt 14.13-21; Mk 6.30-44; Gjn 6.1-14)
10 Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë. 11 Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.
12 Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë». 13 Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?». 14 Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!». 15 Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë. 16 Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t’ia shtronin turmës. 17 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.
Pohimi i Pjetrit
(Mt 16.13-19; Mk 8.27-29)
18 Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?». 19 Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër». 20 Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».
Paralajmërimi i parë i Pashkës
(Mt 16.20-28; Mk 8.30—9.1)
21 Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë 22 e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.
23 Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë. 24 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë. 25 Ç’dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten? 26 Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia. 27 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë».
Shndërrimi i Jezuit
(Mt 17.1-8; Mk 9.2-8)
28 Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur. 29 Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese. 30 Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia 31 që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem.
32 Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të.
33 Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte. 34 Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika. 35 Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!». 36 Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.
Shërimi i djalit të pushtuar nga djalli
(Mt 17.14-18; Mk 9.14-27)
37 Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe. 38 Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm! 39 Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë dhe e shkund me dhunë derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon e largohet me vështirësi prej tij. 40 Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por nuk mundën». 41 Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Sille këtu tët bir!». 42 Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit. 43 Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë.
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mt 17.22-23; Mk 9.30-32)
Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve: 44 «Vëruni vesh mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve». 45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.
Madhështia e vërtetë
(Mt 18.1-5; Mk 9.33-37)
46 Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi. 47 Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë. 48 Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi».
Me ju, jo kundër jush
(Mk 9.38-40)
49 Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne».
50 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se kush nuk është kundër jush, është me ju».
Mospranimi nga samaritanët
51 Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem 52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin, 53 por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit. 54 Kur dishepujt e tij, Jakobi e Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarr nga qielli e t’i përpijëf?».
55 Por Jezui u kthye e i qortoig. 56 gjPastaj shkuan në një fshat tjetër.
Të ndjekësh Jezuin
(Mt 8.19-22)
57 Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh». 58 Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka e zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».
59 Një tjetri i tha: «Më ndiq!». Por ai iu përgjigj: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë!». 60 Jezui i tha: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre, ndërsa ti shko e shpall mbretërinë e Perëndisë».
61 Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zot, por më lejo të ndahem më parë me ata të shtëpisë». 62 Jezui iu përgjigj: «Kushdo që vë dorën në parmendë dhe e kthen kokën pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë».