Luka 6

Jezui dhe e shtuna

(Mt 12.1-8; Mk 2.23-28)

Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin. Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë e u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t’i hajë askush përveç priftërinjve?». Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i të shtunës».

Njeriu me dorë të paralizuar

(Mt 12.9-14; Mk 3.1-6)

Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. Shkruesit dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur. Jezui, edhe pse e dinte çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit. Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?». 10 Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht. 11 Por ata u tërbuan e filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t’i bënin Jezuit.

Zgjedhja e të dymbëdhjetëve

(Mt 10.1-4; Mk 3.13-19)

12 Gjatë atyre ditëve Jezui shkoi në mal për t’u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë. 13 Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj. 14 Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, 15 Mateu e Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar, 16 Juda i Jakobit e Judë Iskarioti që u bë tradhtar.

Shërbesa e Jezuit dhe turmat

(Mt 4.23-25)

17 Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. 18 Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin 19 dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte.

Lumnitë dhe mjerimet

(Mt 5.1-12)

20 Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha:

«Lum ju që jeni të varfër,

se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë!

21 Lum ju që tani keni uri,

se do të ngiheni!

Lum ju që tani qani,

se do të qeshni!

22 Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë,

kur t’ju përjashtojnë e t’ju shajnë,

kur të shpifin për ju

për shkak të Birit të njeriut!

23 Kur të vijë ajo ditë,

gëzohuni e kërceni,

se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell.

Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët.

24 Por mjerë ju të pasur,

se e keni marrë ngushëllimin tuaj!

25 Mjerë ju që jeni të nginjur tani,

se do të keni uri!

Mjerë ju që tani qeshni,

se do të trishtoheni e do të qani!

26 Mjerë ju kur të gjithë

të flasin mirë për ju!

Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë».

Dashuria për armiqtë

(Mt 5.38-48; 7.12a)

27 «Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. 28 Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. 29 Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën. 30 Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko. 31 Bëjuni të tjerëve çka dëshironi t’ju bëjnë juve. 32 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan. 33 Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu. 34 Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t’jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë. 35 Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre e jepni hua pa pritur që t’ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh e do të jeni bijtë e të tejlartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë. 36 Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj».

Mos e gjyko vëllanë

(Mt 7.1-5)

37 «Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni. Falni e do të faleni. 38 Jepni e do t’ju jepet. Do t’ju vënë në prehër një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur e të begatë, sepse me masën që do të matni, do të mateni».

39 Jezui u foli përsëri me shëmbëlltyra: «A mund t’i prijë një i verbër një të verbri tjetër? A nuk do të bien të dy në gropë? 40 Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi. Edhe po të mësojë gjithçka, do të jetë si mësuesi i tij.

41 Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 42 Si mund t’i thuash vëllait tënd “vëlla, më lër të ta heq ashklën nga syri”, ti që nuk pikat traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd».

Pema njihet nga frytet

(Mt 7.17-20; 12.34b-35)

43 «Nuk ka pemë të mirë që jep fryte të këqija e as pemë të kalbur që jep fryte të mira. 44 Çdo pemë njihet nga frytet e saj. Askush nuk mund të vjelë fiq nga ferrat e as rrush nga shkurret. 45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij dhe njeriu i keq nxjerr të keqen nga thesari i tij i keq, sepse ç’ka zemra, nxjerr gojadh».

Dy shtëpitë

(Mt 7.24-27)

46 «Përse më thërrisni “Zot, Zot” e nuk bëni çfarë ju them unë? 47 Po ju tregoj kujt i ngjan ai që vjen tek unë dhe që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia. 48 Ai i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë e i hodhi themelet në shkëmb. Kur erdhi përmbytja, lumi vërshoi drejt asaj shtëpie, por nuk e tundi dot vendit, se shtëpia ishte ndërtuar mirë. 49 Ndërsa ai që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi mbi dhe, pa themele. Kur vërshoi lumi, ajo u shemb menjëherë e i madh qe shkatërrimi i saj».


 dh6.45 ose: goja flet nga mbushullia e zemrës