Luka 5

Thirrja e dishepujve të parë

(Mt 4.18-22; Mk 1.16-20)

Jezui gjendej pranë liqenit të Gjenesaretit dhe turma shtyhej drejt tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat. Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul e mësonte turmën nga varka.

Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko tej në thellësi e hidhni rrjetat për peshkim». Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, por për hir të fjalës sate do t’i hedh rrjetat». Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat. Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër të vinin e t’i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin. Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit e tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar». Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë. 10 Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, të afërm të Simonit. Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë! Që tani do të jesh peshkatar njerëzish». 11 Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka e shkuan pas Jezuit.

Pastrimi i të lebrosurit

(Mt 8.1-4; Mk 1.40-45)

12 Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys e iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». 13 Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë. 14 Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt e i tha: «Shko e paraqitu te prifti e kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t’u shërbejë si dëshmi». 15 Megjithatë, fjala për Jezuin përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre. 16 Por ai u tërhoq në vende të shkreta e lutej.

Shërimi i të paralizuarit

(Mt 9.1-8; Mk 2.1-12)

17 Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj e mësues të ligjit të Moisiut që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi. Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte.

18 Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui e ta vinin para tij, 19 por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit. 20 Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet». 21 Shkruesit dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t’i falë mëkatet?». 22 Jezui i kuptoi mendimet e tyre e u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? 23 Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”?. 24 Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». 25 Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë. 26 Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë e plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme».

Thirrja e Levit

(Mt 9.9-13; Mk 2.13-17)

27 Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». 28 Ai la gjithçka, u ngrit e i shkoi pas.

29 Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish e njerëzish të tjerë. 30 Atëherë farisenjtë dhe shkruesit e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?». 31 Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. 32 Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen».

Çështja e agjërimit

(Mt 9.14-17; Mk 2.18-22)

33 Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pinë». 34 Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? 35 Por do të vijnë ditët kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë».

36 Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t’i përshtatet së vjetrës.

37 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t’i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm. 38 Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinjd.

39 Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”».


 d5.38 dorëshk. të tjera edhe: dhe kështu ruhen që të dy