Kujto Perëndinë
1 «Ki kujdes që ta zbatosh të gjithë ligjin që të kam urdhëruar sot, që të jetoni, të shumoheni, të hyni e të pushtoni tokën për të cilën Zoti iu betua etërve tuaj. 2 Kujto tërë udhën që Zoti, Perëndia yt, të bëri të marrësh gjatë këtyre dyzet vjetëve në shkretëtirë, për të të sprovuar me mundime, që të dinte çka kishe në zemër e nëse do t’i mbaje apo jo urdhërimet e tij. 3 Ai të mundoi me uri e pastaj të ushqeu me manë, të cilën s’e njihje as ti, as etërit e tu, për të të treguar se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Zotit. 4 Gjatë këtyre dyzet vjetëve, as t’u shqyen rrobat, as t’u ënjt këmba. 5 Ngulite në mendje se Zoti, Perëndia yt, të ndreq, ashtu siç ndreq njeriu fëmijën e vet. 6 Mbaji urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, ec udhës së tij e druaje atë. 7 Zoti, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë, në një tokë ku përrenjtë, krojet e burimet e nëndheshme vërshojnë nëpër fusha e bjeshkë, 8 në një tokë me grurë, elb, vreshta, fiq e shegë, në një tokë me vaj ulliri e me mjaltë, 9 në një tokë ku do të hash bukë sa të duash, ku asgjë nuk do të të mungojë, në një tokë ku nxirret hekur prej gurit e bronz prej maleve. 10 Do të hash, do të ngihesh e do të bekosh Zotin, Perëndinë tënd, për tokën e mirë, që të ka dhënë.
11 Kujdes se mos harron Zotin, Perëndinë tënd, e nuk i mban urdhërimet, vendimet e rregullat e tij, që ju urdhërova unë sot. 12 Kur të hash sa të ngihesh, kur të ndërtosh e të rrosh në shtëpi të mira, 13 kur të të shtohen dhentë e qetë, argjendi e ari e gjithçka që ke, 14 mos të të rritet mendja dhe harron Zotin, Perëndinë tënd. Ai të nxori nga toka e Egjiptit, nga skllavëria, 15 të priu në shkretëtirën e madhe e të tmerrshme, një vend gjarpërinjsh helmues e akrepash, një vend i shkretë pa ujë, të nxori ujë nga një shkëmb stralli, 16 të ushqeu në shkretëtirë me manë, të cilën as etërit e tu nuk e njihnin, që të të sprovonte me mundime e në fund të ta sillte mbarë. 17 Mos thuaj me vete: “Me forcën dhe fuqinë e duarve të mia e fitova gjithë këtë pasuri”. 18 Kujto Zotin, Perëndinë tënd, se ai të jep forcë për të fituar pasuri dhe e mban besëlidhjen e tij, për të cilën iu betua etërve të tu, si edhe sot. 19 Por, nëse e harron vërtet Zotin, Perëndinë tënd, e ndjek perëndi të tjerë, u shërben e i adhuron, për be, sot po ju paralajmëroj se do të shkatërroheni krejt. 20 Do të merrni fund si kombet që po shkatërron Zoti para jush, ngaqë nuk e dëgjuat zërin e Zotit, Perëndisë tuaj».