Popull i zgjedhur
1 «Kur Zoti, Perëndia yt, të të sjellë në tokën që po hyn për ta pushtuar, do të dëbojë shumë kombe para teje; shtatë kombe më të mëdhenj e më të fortë se ti: hititët, girgashitët, amoritët, kananitët, perizitët, hivitët e jebusitët. 2 Zoti, Perëndia yt, do të t’i dorëzojë e ti do t’u biesh e do t’i shkatërrosh plotësisht. Mos lidh besëlidhje me ta e mos u trego i mëshirshëm. 3 Mos bëj krushqi me ta. Mos u jep vajzë, as mos u merr vajzë për djalin tënd, 4 se ato do t’i largojnë djemtë tuaj prej meje dhe këta do t’u shërbejnë perëndive të tjerë. Atëherë zemërimi i Zotit do të ndizet kundër jush e do t’ju shkatërrojë menjëherë. 5 Por ti, vepro kështu me ta: rrënoji altarët e tyre, shkatërroji përmendoret e tyre të shenjta, copëtoji shtyllat e Asherave të tyre e digji në zjarr shëmbëlltyrat e tyre. 6 Ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd. Ndër gjithë popujt e faqes së dheut, Zoti, Perëndia yt, të zgjodhi ty, që të jesh populli i tij i çmuar.
7 Zoti nuk ju ka për zemër e nuk ju zgjodhi, se jeni populli më i madh. Në të vërtetë ju jeni më të vegjlit. 8 Zoti ju do dhe e mbajti betimin për të cilin iu betua etërve tuaj, prandaj ju nxori me dorë të fuqishme, ju çliroi nga skllavëria, nga dora e faraonit, mbretit të Egjiptit. 9 Dije se Zoti, Perëndia yt, është Perëndi, Perëndi besnik që e mban besëlidhjen e tregon mirësi deri në një mijë brezni për atë që e do dhe që i mban urdhërimet e tij. 10 Por ata që e urrejnë i shpërblen me rrënim. Ai nuk vonon me ata që e urrejnë e nuk rri pa i shpërblyer! 11 Mbaji këto urdhërime, rregulla e vendime që sot po të urdhëroj t’i zbatosh.
Bekim për bindje
12 Nëse do t’i dëgjosh e zbatosh me kujdes këto vendime, Zoti, Perëndia yt, do ta mbajë besëlidhjen e do të tregohet dashamirës me ty, siç iu betua etërve të tu. 13 Ai do të të dojë, do të të bekojë e do të të shumojë. Ai do të ta bekojë frytin e barkut, frytin e tokës, drithin, verën, vajin, pjellën e qeve e të dhenve, në dheun për të cilin iu betua etërve të tu, për të ta dhënë ty. 14 Do të jesh populli më i bekuar. S’do të ketë meshkuj e femra shterpë ndër ju e as ndër bagëtitë tuaja. 15 Zoti do të heqë prej teje çdo sëmundje. Nuk do të të godasë me lëngatat e tmerrshme të Egjiptit që ti i njeh mirë. Ato do t’ua lëshojë armiqve të tu. 16 Përpiji të gjithë popujt që Zoti, Perëndia yt, po të jep e mos të të dhimbsen. Mos iu shërbe perëndive të tyre, se do të biesh në kurth.
17 Nëse thua me vete se këto kombe janë më të mëdha se unë e s’mund t’i pushtoj, 18 mos u frikëso, por kujto atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri faraonit e tërë Egjiptit, 19 sprovat e mëdha që ju panë sytë, shenjat e mrekullitë, dorën e fuqishme e krahun e fortë, përmes të cilave të nxori Zoti, Perëndia yt. Kështu do të veprojë Zoti, Perëndia yt, me tërë popujt që i ke frikë. 20 Për më tepër, Zoti, Perëndia yt, do të lëshojë një plagëb mes tyre, që t’i shkatërrojë edhe ata që mbetën apo që u fshehën prej teje. 21 Mos u tmerro para tyre, se Zoti, Perëndia yt, është mes teje. Ai është një Perëndi i madh e i tmerrshëm. 22 Zoti, Perëndia yt, do të t’i fshijë këto kombe pak nga pak. Nuk do të mund t’i shkatërrosh menjëherë, sepse egërsirat do të shtohen kundër teje. 23 Zoti, Perëndia yt, do të t’i dorëzojë e do t’i shastisë e çorodisë derisa të zhbihen. 24 Ai do t’i dorëzojë mbretërit e tyre dhe ti do t’ua shuash emrat nën qiell. Askush nuk do të të bëjë ballë derisa t’i shkatërrosh. 25 Digji në zjarr shëmbëlltyrat e perëndive të tyre. Mos e lakmo e mos e merr argjendin e arin që është mbi to, përndryshe do të biesh në kurth, ngaqë ato janë të neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd. 26 Mos sill në shtëpi asgjë të neveritshme që të mos përfshihesh edhe ti në shkatërrimin e saj. Përbuze dhe urreje fort, se është ndarë veç për shkatërrim».