Vdekja e Moisiut
1 Atëherë Moisiu u ngjit prej stepave të Moabit në malin Nebo, në majë të Pisgahut që është përballë Jerikosë. Zoti ia tregoi mbarë vendin, që nga Gileadi deri në Dan, 2 tërë Neftaliun, tokën e Efraimit e të Manaseut, gjithë tokën e Judës deri në detin Mesdhe, 3 Negevin e rrafshin e luginës së Jerikosë, qytetin e palmave deri në Coar. 4 Atëherë Zoti i tha: «Kjo është toka për të cilën iu betova Abrahamit, Isakut e Jakobit kur u thashë: “Pasardhësve tuaj do t’ua jap”. Të lashë ta shohësh, por nuk do të shkosh atje». 5 Moisiu, shërbëtori i Zotit, vdiq atje, në tokën e Moabit, siç tha Zoti. 6 U varros në një luginë të Moabit, përballë Betpeorit. Edhe sot e kësaj dite askush nuk e di ku e ka varrin. 7 Ai ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq, por as nuk e kishin lënë sytë e as nuk i ishte mpakur fuqia. 8 Izraelitët e vajtuan Moisiun në stepat e Moabit për tridhjetë ditë. Pastaj ditët e zisë përfunduan.
9 Jozuehu, biri i Nunit, ishte plot me shpirtin e urtisë, sepse Moisiu kishte vënë duart mbi të. Izraelitët e dëgjuan dhe bënë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
10 Kurrë më nuk doli në Izrael ndonjë profet si Moisiu, me të cilin Zoti takohej ballë për ballë. 11 Zoti e dërgoi atë të bënte shenja e mrekulli në tokën e Egjiptit, kundër faraonit, shërbëtorëve e tokës së tij 12 e të tregonte vepra të fuqishme e të tmerrshme, të cilat Moisiu i bëri para mbarë Izraelit.