Bekimi përfundimtar
1 Moisiu, njeriu i Perëndisë, i bekoi kështu izraelitët para se të vdiste:
2 «Zoti erdhi prej Sinait,
prej Seirit rrezatoi mbi ta,
vezulloi prej malit Paran,
bashkë me mijëra të shenjtë.
Zjarr flakërues,
lëshonte dora e tij e djathtëj.
3 Ti që popujt i do,
në dorë i ke gjithë të shenjtët.
Nën këmbët e tua, ata përulen,
e fjalën tënde zbatojnë,
4 ligjin, që na dha Moisiu,
si trashëgimi për bashkësinë e Jakobit.
5 Mbret i Jeshurunit u bë Zoti,
kur u mblodhën krerët e popullit,
të gjitha fiset e Izraelit.
6 Rroftë Rubeni e mos u shoftë,
edhe pse i vogël në numër».
7 Këtë i tha Judës:
«Dëgjoje, o Zot, zërin e Judës,
ktheje te populli i vet.
Duart i pastë gati për luftë,
prej kundërshtarëve shpëtoje».
8 Levit i tha:
«Tumimi e Urimi yt,
qoftë me besëtarin.
Atë e sprovove në Masë,
në ujërat e Meribës me të u grinde.
9 Për nënën e atin e vet tha:
“Nuk i këqyr!”,
vëllanë nuk e pranoi,
bijtë e vet nuk i njohu,
për të mbajtur fjalën tënde,
besëlidhjen tënde për të ruajtur.
10 Do t’ia mësojë Jakobit vendimet e tua,
Izraelit, ligjin tënd.
Temjan do të djegin para teje,
fli shkrumbimi mbi altarin tënd.
11 Bekoje, o Zot, fuqinë e tij,
pranoji veprat e duarve të tij.
Kundërshtarët e tij këputi në mes,
mos ngritshin më krye armiqtë e tij».
12 Benjaminit i tha:
«I dashuri i Zotit jeton i sigurt pranë tij,
gjithë ditën nën mbrojtjen e tij.
Në kraharorin e Zotit banon ai».
13 Jozefit i tha:
«Toka e tij, bekim prej Zotit,
prej stolive të vesës së qiellit,
të ujërave që shtrihen nën dhe,
14 prej dhuratave që prodhon dielli,
që sjell çdo hënë e re,
15 prej të përzgjedhurave të bjeshkëve të moçme,
prej begatisë së kodrave të amshuara,
16 prej të mirave e plotësisë së dheut,
dhe përkrahjes së atij që në shkurre u duk.
Ia mbulofshin kryet Jozefit,
ballin e të shuguruarit mes vëllezërve.
17 Madhështor si i parëlinduri i mëzatit,
e me bri si ato të kaut,
që me to shpon popujt
e tokën anekënd.
E tillë është moria e Efraimit
e mijërat e Manaseut».
18 Zabulonit i tha:
«Gëzohu, o Zabulon, në rrugëtimet e tua
e ti Isahar në tendat e tua.
19 Do të thërrasin popujt në mal,
për të kushtuar fli drejtësie.
Do të gëzojnë pasuritë e detit
e thesaret e fshehta të rërës».
20 Gadit i tha:
«Bekuar qofshin hapësiratk e Gadit,
si luan ai shtrihet
e shqyen fund e krye.
21 Zgjodhi për vete më të mirën,
se kur krerët e popullit u mblodhën,
hise prijësish ai mori.
Drejtësinë e Zotit, ai zbatoi,
vendimet e tij bashkë me Izraelin».
22 Danit i tha:
«Dani është pjellë luani
që kërcen prej Bashanit».
23 Neftaliut i tha:
«Neftaliu u kënaq me hir,
përplot me bekimet e Zotit.
Zotëron perëndimin e jugun».
24 Asherit i tha:
«Qoftë Asheri ndër më të bekuarit e fëmijëve,
i pëlqyeshëm ndër vëllezërit e tij.
Këmbët i laftë me vaj.
25 Shulat i pastë prej hekuri e bronzi
e fuqia i qoftë përjetë».
26 «Nuk ka si Perëndia, o Jeshurun.
Kalëron qiej e re me madhështi,
që në ndihmë të të vijë.
27 Strehë është Perëndia i amshuar,
përkrahje krahët e tij të përjetshëm.
Armiqtë i zbon para teje,
“Shkatërrojini”, ai urdhëron.
28 Izraeli banon i sigurt,
rrjedhal e Jakobit e qetë,
në tokën e drithit e të verës,
ku vesa e qiellit rigon.
29 Lum ti, o Izrael.
Cilin popull shpëtoi Zoti si ti?
Ai është mburoja që të mbron,
shpata që lavdi të sjell.
Armiqtë do të të lëpihen,
e ti do t’i shtypësh me këmbë».