Mbreti i Bashanit
1 «Pastaj u kthyem e shkuam rrugës për në Bashan. Ogu, mbreti i Bashanit, bashkë me gjithë popullin na doli para në Edrej që të ndeshej me ne. 2 Atëherë Zoti më tha: “Mos e ki frikë, sepse ta kam dorëzuar me gjithë popullin e tokën e tij. Vepro me të siç veprove me Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon”. 3 Zoti, Perëndia ynë, na e dorëzoi edhe Ogun, mbretin e Bashanit, bashkë me popullin e tij. U ramë aq fort sa askush nuk shpëtoi. 4 Asokohe i zumë të gjitha qytetet e tij, asnjë nuk na shpëtoi. I zumë të gjashtëdhjetë qytetet dhe mbarë krahinën e Argobit, mbretërinë e Ogut në Bashan. 5 Të gjitha këto ishin qytete të fortifikuara me mure të larta, me porta e me shula. Përveç tyre, zumë edhe mjaft vendbanime të parrethuara. 6 I shfarosëm të gjitha qytetet bashkë me burrat, gratë e fëmijët, siç bëmë me Sihonin, mbretin e Heshbonit, 7 por të gjitha kafshët dhe prenë, që plaçkitëm prej qyteteve, i mbajtëm për vete.
8 Asokohe ua morëm tokën të dy mbretërve amoritë, që ishin përtej Jordanit. Ajo shtrihej nga lugina e Arnonit deri te mali i Hermonit. 9 Sidonasit e quajnë malin Sirion, ndërsa amoritët Senir. 10 Ua morëm të gjitha qytetet e rrafshit, mbarë Gileadin e mbarë Heshbonin, deri në Salkah e në Edrej. Ato ishin qytete të mbretërisë së Ogut, në Bashan. 11 Nga refaitët mbeti gjallë vetëm Ogu, mbreti i Bashanit. Shtrati i tij prej hekuri gjendet në Rabah, te amonitët. Ai ishte nëntë kute i gjatë e katër kute i gjerë, sipas njësisë së zakonshme të kutit. 12 Tokën që pushtuam asohere ia dhashë Rubenit e Gadit. Ajo fillonte nga Aroeri, që është buzë luginës së Arnonit, deri te gjysma e malit Gilead, përfshirë edhe qytetet përkatëse. 13 Gjysmën tjetër të Gileadit, mbarë Bashanin, mbretërinë e Ogut dhe mbarë krahinën e Argobit, që quhej vendi i refaitëve, ia dhashë gjysmës së fisit të Manaseut. 14 Jairi, biri i Manaseut, e pushtoi mbarë krahinën e Argobës deri në kufi me Geshurin e Makatin dhe i vuri emrin e vet. Edhe sot e kësaj dite Bashani quhet Havot Jair. 15 Makirit i dhashë Gileadin. 16 Rubenit e Gadit i dhashë vendin prej Gileadit deri buzë luginës së Arnonit, me kufi që shkojnë nga mesi i luginës së Arnonit deri te lugina e Jabokut, në kufi me amonitët. 17 U dhashë edhe Arabahun në kufi me Jordanin, nga Kinereti deri te deti i Arabahut, që është deti i Kripur, nën rrëpirën e Pisgahut në lindje.
18 Asokohe ju urdhërova: “Zoti, Perëndia juaj, jua dha këtë tokë për pronë. Të gjithë trimat tuaj të marrin armë e t’u prijnë izraelitëve, vëllezërve tuaj. 19 Gratë, fëmijët e bagëtitë, se e di që keni shumë, të rrinë në qytetet që ju dhashë. 20 Kur Zoti t’u japë prehje vëllezërve tuaj, siç ju dha juve, kur ta pushtojnë edhe ata tokën përtej Jordanit, që po u jep Zoti, Perëndia juaj, vetëm atëherë secili prej jush do të kthehet te prona e vet, që ju dhashë”. 21 Asokohe urdhërova edhe Jozuehun: “I pe me sytë e tu të gjitha ato që u bëri Zoti, Perëndia juaj, këtyre dy mbretërve. Kështu do të veprojë Zoti me të gjitha mbretëritë nëpër të cilat do të kalosh. 22 Mos i kini frikë, sepse Zoti, Perëndia juaj, ai vetë lufton për ju”.
Lutja e Moisiut
23 Asokohe iu përgjërova Zotit: 24 “O Zot, Zoti im, ti fillove t’ia dëftosh shërbëtorit tënd lavdinë dhe krahun tënd të fuqishëm. A ka perëndi tjetër në qiell apo në tokë që mund të bëjë veprat e bëmat e tua? 25 Më lër të kaloj e të shoh tokën e mirë përtej Jordanit, këto bjeshkë të bukura dhe Libanin”. 26 Por Zoti ishte i zemëruar me mua, për shkakun tuaj. Nuk më dëgjoi e më tha: “Mjaft! Mos m’u lut më për këtë gjë! 27 Ngjitu në majë të Pisgahut e vështro drejt perëndimit, veriut, jugut e lindjes. Shikoje vendin, se Jordanin nuk ke për ta kaluar. 28 Prandaj, udhëzoje Jozuehun, jepi zemër e guxim, sepse ai do t’i prijë këtij populli përtej Jordanit dhe ai do t’ua ndajë tokën që sheh”. 29 Ndërkohë ndenjëm në luginën përballë Betpeorit».