Bekimet
1 «Nëse vërtet e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe i mban e i zbaton të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot, Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi çdo komb në tokë. 2 Nëse e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, do të të mbulojnë e do të të përcjellin të gjitha këto bekime:
3 i bekuar do të jesh në qytet e i bekuar në fushë.
4 I bekuar do të jetë fryti i barkut tënd, i dheut e i kafshëve të tua, pjella e qeve dhe të vegjlit e dhenve.
5 E bekuar do të jetë shporta dhe magjja jote.
6 I bekuar do të jesh kur të mbërrish e i bekuar kur të nisesh.
7 Zoti do t’i mundë armiqtë që ngrihen kundër teje. Nga një rrugë e vetme do të vijnë te ti, por nëpër shtatë rrugë do t’ia mbathin prej teje. 8 Zoti do ta dërgojë bekimin e tij mbi drithnikët e tu dhe gjithë punët e tua. Ai do të të bekojë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt. 9 Zoti do të të bëjë popullin e tij të shenjtë, siç të premtoi, nëse i mban urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, dhe ecën udhës së tij. 10 Mbarë popujt e tokës do të shohin se thirresh me emrin e Zotit e do të të kenë frikë. 11 Zoti do të ta shtojë mirë frytin e barkut, të kafshëve dhe të dheut, në tokën për të cilën Zoti iu betua etërve të tu se do të ta jepte ty. 12 Zoti do të ta hapë visarin e tij të begatshëm, qiellin, për t’i dhënë shiun e duhur tokës tënde e për të bekuar çdo punë të duarve të tua. Do t’u japësh hua shumë kombeve, ndërsa vetë nuk do të marrësh hua. 13 Zoti do të të vërë në krye e jo në fund, do të ngrihesh vetëm lart e nuk do të biesh poshtë, nëse i dëgjon urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, të cilat unë po të urdhëroj sot, që t’i mbash e t’i zbatosh. 14 Mos u shmang as majtas, as djathtas nga të gjitha fjalët që të urdhërova sot e mos ndiq e mos u shërbe perëndive të tjerë.
Mallkimet
15 Nëse nuk e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe nuk i mban e nuk i zbaton të gjitha urdhërimet dhe rregullat e tij, të cilat unë po t’i urdhëroj sot, do të të mbulojnë e përcjellin të gjitha këto mallkime:
16 i mallkuar do të jesh në qytet e i mallkuar në fushë.
17 E mallkuar do të jetë shporta dhe magjja jote.
18 I mallkuar do të jetë fryti i barkut tënd e i fushës, pjella e qeve dhe të vegjlit e dhenve të tu.
19 I mallkuar do të jesh kur të mbërrish e i mallkuar kur të nisesh.
20 Zoti do të lëshojë mbi ty e mbi çdo vepër të duarve të tua mallkim, çoroditje e mbrapshti. Kështu do të shkatërrohesh e zhbihesh me të shpejtë, për shkak të ligësisë që bëre kur më harrove. 21 Zoti do të bëjë që murtaja të të qepet derisa të zhdukesh nga vendi në të cilin po hyn për ta pushtuar. 22 Zoti do të të godasë me shfarosje, ethe e mahisje, me nxehtësi e thatësirë, me urth e vrug derisa të zhbihesh. 23 Qielli mbi kokë do të të bëhet bronz e toka nën këmbë, hekur. 24 Zoti do të ta kthejë shiun që bie mbi tokë në pluhur e hi. Do të bjerë prej qiellit derisa të shkatërrohesh.
25 Zoti do të të dorëzojë para armiqve. Nga një rrugë e vetme do të dalësh kundër tyre, por nëpër shtatë rrugë do t’ua mbathësh prej tyre. Tërë mbretëritë e tokës do të llahtarisen kur të shohin çfarë të ka ndodhur. 26 Kufoma jote do të jetë ushqim për shpendët e qiellit dhe egërsirat e tokës e askush s’do të mbesë që t’i dëbojë. 27 Zoti do të të godasë me çibanët e Egjiptit, me lyth, zgjebe, e puçrra, që nuk kanë shërim. 28 Zoti do të të godasë me marrëzi, verbëri e çoroditje. 29 Do të endesh kuturu në mes të ditës, siç endet i verbri në errësirë dhe nuk do gjesh mbarësi udhës tënde. Do të shfrytëzohesh e zhvatesh përherë, gjatë gjithë jetës e s’do të ketë kush të të shpëtojë. 30 Grua do të marrësh, por me të një burrë tjetër do të flejë. Shtëpi do të ndërtosh, por në të nuk do të banosh. Vreshta do të mbjellësh, por nuk do t’i vjelësh dot. 31 Kau do të të theret para syve, por prej tij nuk do të hash gjë. Gomari do të të vidhet para teje, por nuk do të të kthehet. Delja do t’i jepet armikut, por s’do të ketë kush të të shpëtojë. 32 Bijtë e bijat do të shohësh tek i jepen një populli tjetër. Do të të marrë malli për ta tërë jetën, por s’do të kesh ç’të bësh. 33 Frytin e tokës e të punës do të ta hajë një popull që nuk e njeh. Do të shfrytëzohesh e shtypesh përherë, gjatë gjithë jetës. 34 Do të luash mendsh prej mjerimit që do të të shohin sytë. 35 Zoti do të të godasë në gjunjë e në këmbë me çibanë të ligj që nuk kanë shërim. Ato do të përhapen prej shputës së këmbës deri në majë të kokës. 36 Zoti do të të çojë ty dhe mbretin që ke vënë në krye, te një komb që nuk njihet prej teje dhe etërve të tu. Atje do t’u shërbesh perëndive të tjerë prej druri e guri. 37 Do të bëhesh mynxyrë, përrallë e tallje për të gjithë popujt mes të cilëve Zoti do të të zbojë.
38 Do të mbjellësh shumë, por pak do të mbledhësh, sepse do t’i përpijë karkaleci. 39 Do të mbjellësh e do të punosh vreshta, por verë nuk do të pish dhe asgjë nuk do të vjelësh, sepse do t’i hajë krimbi. 40 Do të kesh ullinj anekënd, por nuk do të lyhesh me vaj, sepse kokrrat e ullirit do të bien të papjekura. 41 Do të të lindin bij e bija, por nuk do t’i gëzosh, sepse do të të merren rob. 42 Karkalecat do të t’i mbulojnë tërë pemët e frytet e tokës. 43 I ardhuri mes teje do të lartësohet lart e më lart, ndërsa ti do të biesh poshtë e më poshtë. 44 Ai do të të japë hua, ndërsa ti s’do t’i japësh dot. Ai do të jetë në krye e ti në fund.
45 Të gjitha këto mallkime do të të mbulojnë, do të të ndjekin pas e do të të zënë derisa të marrësh fund, sepse nuk e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, e nuk i mbajte urdhërimet e rregullat e tij që të urdhërova. 46 Këto mallkime do të jenë për ty e për pasardhësit e tu një shenjë e përhershme emnese.
47 Nuk i shërbeve Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim e me zemër të çiltër në të gjitha begatitë, 48 prandaj do t’i shërbesh armikut që do të dërgojë Zoti kundër teje, në uri, në etje, në lakuriqësi e në çdo lloj nevoje. Ai do të të vërë në qafë një zgjedhë të hekurt derisa të të shkatërrojë. 49 Zoti do të ngrejë kundër teje një komb të largët, nga skajet e tokës, që sulet porsi shqiponjë, një komb, gjuhën e të cilit nuk e ke dëgjuar, 50 një komb fytyrëvrazhdë, që s’nderon plak e s’mëshiron të ri. 51 Ai do ta hajë frytin e kafshëve e të tokës sate derisa të shkatërrohesh. Nuk do të të lërë as drithë, as verë, as vaj, as viç e as qengj derisa të të zhbijë. 52 Do të t’i rrethojë të gjitha qytetet derisa të bien anekënd vendit muret e larta e të fortifikuara, në të cilat ke besim. Do të të rrethojë çdo qytet në tokën që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. 53 Gjatë rrethimit e mjerimit, me të cilin do të të mbërthejë armiku, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe bijave, që të ka dhënë Zoti, Perëndia yt. 54 Edhe burri më i butë, më i sjellshmi mes teje, do ta shohë me smirë të vëllanë, të shoqen e dashur e fëmijët që i kanë mbetur. 55 Ai nuk do t’i japë askujt prej mishit të bijve që po ha, sepse nuk do t’i mbesë gjë, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilën armiku do t’i mbërthejë të gjitha qytetet e tua. 56 Edhe gruaja më e butë, më e sjellshmja mes teje, që nuk prek as tokën me këmbë, do ta shohë me smirë të shoqin e dashur, bijtë e bijat, 57 mbetjet e lindjes dhe fëmijët që lindi. Ajo do t’i hajë ato fshehurazi, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilin armiku do t’i mbërthejë të gjitha qytetet e tua.
58 Nëse nuk i mban e nuk i zbaton të gjitha fjalët e këtij ligji të shkruar në këtë libër, nëse nuk i druhesh këtij emri të lavdishëm e të madhërishëm, Zotit, Perëndisë tënd, 59 atëherë Zoti do të godasë ty dhe pasardhësit e tu me plagë të papara, plagë të tmerrshme e të përhershme, me sëmundje të liga e të pashërueshme. 60 Do të lëshojë mbi ty çdo lëngatë të Egjiptit, që kishe frikë, dhe ato do të të qepen. 61 Madje, Zoti, Perëndia yt, do të lëshojë mbi ty çdo sëmundje e plagë, që nuk janë shkruar në librin e këtij ligji, derisa të shkatërrohesh. 62 Do të mbetesh me pak njerëz, edhe pse ishe i shumtë si yjet e qiellit, sepse nuk e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd. 63 Sikurse Zoti gëzohej me ty, kur të bekonte me mirësi e begati, ashtu do të gëzohet Zoti, kur të të zhbijë e të të shkatërrojë. Do të çrrënjosesh nga toka ku po hyn për ta pushtuar. 64 Zoti do të të shpërndajë nëpër popuj, anekënd tokës. Atje do t’u shërbesh perëndive të tjerë, që nuk njihen prej teje dhe etërve të tu, perëndi prej druri e guri. 65 Kur të jesh mes këtyre kombeve, nuk do të gjesh çlodhje, as pushim për këmbët e tua. Zoti do të të japë atje një zemër të mpakur, sy të trishtë e shpirt të brengosur. 66 Jeta do të të varet në fije. Do të trembesh natë e ditë e jetën nuk do ta kesh të sigurt. 67 Në mëngjes do të thuash: “Ah, sikur të ishte mbrëmje!” e në mbrëmje: “Ah, sikur të ishte mëngjes!”, për shkak të tmerrit që të ndien zemra e të llahtarisë që të shohin sytë. 68 Zoti do të bëjë të kthehesh me anije në Egjipt, udhës për të cilën të thashë: “Kurrë nuk do ta shohësh më!”. Atje do ta shisni veten si skllevër e skllave për armiqtë, por askush s’do t’ju blejë».
69 f Këto janë fjalët e besëlidhjes që i urdhëroi Zoti Moisiut të lidhte me izraelitët, kur ishin në tokën e Moabit, përveç besëlidhjes që lidhi me ta në Horeb.