Frytet e para
1 «Kur të hysh në tokën që po të jep për trashëgimi Zoti, Perëndia yt, kur ta pushtosh e të banosh në të, 2 merri të gjitha prodhimet e para të tokës që po të jep Zoti, Perëndia yt, vendosi në shportë e shko te vendi që Zoti, Perëndia yt, do të zgjedhë për të vënë emrin e tij. 3 Shko te prifti që shërben gjatë asaj kohe e thuaji: “Unë shpall sot para Zotit, Perëndisë tënd, se hyra në tokën që Zoti u premtoi etërve tanë se do të na e jepte neve”. 4 Atëherë prifti do të ta marrë shportën nga dora e do ta vendosë para altarit të Zotit, Perëndisë tënd. 5 Ti do të përgjigjesh e do të thuash para Zotit, Perëndisë tënd: “Im atë ishte një arameas endacakë, shkoi në Egjipt me një grusht njerëz e atje banoi si i huaj. U bë një komb i madh, i fuqishëm e i shumtë. 6 Egjiptianët na keqtrajtuan, na shtypën e na munduan me punë të rënda. 7 Ne i thirrëm Zotit, Perëndisë së etërve tanë, e Zoti na dëgjoi e i pa vuajtjet, mundimet dhe mjerimin tonë. 8 Ai na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme, me krah të fortë, me vepra të tmerrshme, me shenja e mrekulli. 9 Na solli në këtë vend e na dha këtë tokë, tokën që rrjedh qumësht e mjaltë. 10 Prandaj dhe i solla frytet e para të tokës që më dhe ti, o Zot”. Atëherë vendosi para Zotit, Perëndisë tënd, e përkulu me nderim para tij. 11 Gëzohuni, ti, leviti dhe i ardhuri mes teje, me çdo të mirë që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate.
12 Kur të kesh mbaruar së mbledhuri të dhjetën e tërë prodhimeve të vitit të tretë, që është viti i të dhjetave, jepja levitit, të ardhurit, jetimit e të vesë, që ata të hanë në qytet e të ngopen. 13 Atëherë do të thuash para Zotit, Perëndisë tënd: “E hoqa të dhjetën e shenjtëruar nga shtëpia e për më tepër ia dhashë levitit, të ardhurit, jetimit e të vesë, sipas çdo urdhërimi që më dhe. Nuk shkela e nuk harrova asnjë nga urdhërimet e tua. 14 Nuk hëngra nga e dhjeta kur isha në zi, nuk e hoqa kur isha i papastër e as nuk ia dhashë të vdekurit. Ta dëgjova zërin, o Zot, Perëndia im, dhe bëra gjithçka që më urdhërove. 15 Hidhi sytë prej banesës tënde të shenjtë, prej qiellit, dhe bekoje popullin tënd, Izraelin, e tokën që na dhe, siç u premtove etërve tanë, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë”.
Përfundimi
16 Në këtë ditë, Zoti, Perëndia yt, po të urdhëron që t’i mbash këto rregulla e vendime. Mbaji e zbatoji me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. 17 Në këtë ditë ke shpallur se Zoti është Perëndia yt, se do të ecësh udhëve të tij, do të mbash rregullat, urdhërimet e vendimet e tij e do të dëgjosh zërin e tij. 18 Edhe Zoti të ka shpallur sot popullin e tij të çmuar, siç të premtoi, se do t’i mbash urdhërimet e tij, 19 se do të të lartësojë në lavdërime, në emër e në nder mbi çdo komb që krijoi dhe se do të jesh një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, siç premtoi».