1 «Kur të keni ndonjë mosmarrëveshje, dilni para gjykatësve, që të gjykoheni. Ata do t’i japin të drejtë të pafajshmit e do të dënojnë fajtorin. 2 Nëse fajtori meriton të fshikullohet, gjykatësi të urdhërojë ta shtrijnë përtokë e ta rrahin para tij. Numri i fshikullimave të përkojë me masën e fajit, 3 por të mos jetë më shumë se dyzet. Mos e fshikullo më shumë se dyzet herë, që të mos e turpërosh vëllanë tënd.
4 Mos ia lidh gojën kaut që shin.
Ligji i martesës
5 Nëse vëllezërit banojnë bashkë e njëri prej tyre vdes pa lënë djalë, e shoqja të mos martohet me një të huaj jashtë familjes. Me të le të flejë kunati e ta marrë për grua, që të përmbushë detyrimin e kunatit. 6 Djali i parë që do t’i lindë do të mbajë gjallë emrin e vëllait të vdekur, që të mos shuhet emri i tij në Izraeli. 7 Nëse vëllai nuk ka dëshirë të martohet me kunatën, atëherë ajo të shkojë te pleqtë, te portat e qytetit e të thotë: “Kunati nuk dëshiron ta mbajë gjallë emrin e të vëllait në Izrael. Ai nuk dëshiron të përmbushë detyrimin e kunatit”. 8 Pleqtë do ta thërrasin e do të flasin me të, por nëse ai këmbëngul e thotë: “Nuk dua ta marr për grua”, 9 ajo t’i afrohet kunatit e, në sy të pleqve, t’ia heqë sandalet, ta pështyjë në fytyrë e t’i thotë: “Kështu e do ai që nuk e mbështet shtëpinë e vëllait të vet”. 10 Në Izrael, familja e tij do të quhet “shtëpia këmbëzbathur”.
Ligje të ndryshme
11 Nëse dy burra grinden dhe gruaja e njërit vjen dhe, për ta shpëtuar të shoqin, e kap tjetrin prej gjymtyrës mashkullore, 12 pritja dorën e mos të të vijë keq për të.
13 Mos mbaj në trastë gurë të ndryshëm peshe, një më të rëndë e një më të lehtë. 14 Mos mbaj në shtëpi masa të ndryshme peshe, një më të madhe e një më të vogël. 15 Masën e gurin e peshës mbaje të saktë e të përpiktë, që të rrosh gjatë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt. 16 Të gjithë ata, që bëjnë këto padrejtësi, i neveriten Zotit, Perëndisë tënd.
17 Mos harro çfarë të bëri Amaleku rrugës, kur dole nga Egjipti, 18 si të sulmoi e si u ra atyre që mbetën mbrapa, kur ishe i lodhur e i drobitur. Ai nuk e pati frikë Perëndinë. 19 Prandaj, kur Zoti, Perëndia yt, të të japë prehje nga armiqtë përreth, në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep për ta zotëruar si trashëgimi, mos harro ta shuash emrin e Amalekut nën qiell».