Letra e ndarjes
1 «Kur një burrë martohet me një grua e ajo nuk i pëlqen më, sepse zbulon diçka të turpshme, t’i shkruajë fletëndarjen, t’ia japë në dorë, ta dëbojë nga shtëpia 2 e ajo të ikë prej tij. Nëse ajo martohet me dikë tjetër, 3 por edhe bashkëshorti i dytë i shkruan fletëndarjen, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia, ose ai vdes, 4 atëherë bashkëshorti i parë, që e dëboi në fillim, nuk mund ta marrë sërish për grua, sepse ajo është përdhosur. Kjo gjë është e neveritshme para Zotit. Mos e përdhos tokën që po të jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt.
Rregulla të ndryshme
5 I sapomartuari nuk do të shkojë në ushtri e nuk do ketë asnjë detyrim. Ai do të jetë i lirë në shtëpinë e vet për një vit, që ta gëzojë gruan që mori.
6 Askush të mos marrë peng mokrën e as gurin e sipërm të saj, sepse kështu merr peng jetën e tjetrit.
7 Nëse dikush rrëmben vëllanë izraelit, e trajton si skllav apo e shet, ky keqbërës të dënohet me vdekje. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt.
8 Ki shumë kujdes gjatë lebrës. Vepro siç do të të mësojnë priftërinjtë levitë. Mbajini të gjitha urdhërimet që u urdhërova priftërinjve. 9 Mbaj mend se çfarë i bëri Zoti, Perëndia yt, Mirjamës rrugës kur po dilnit nga Egjipti.
10 Kur t’i japësh hua tjetrit, mos i shko në shtëpi për t’ia marrë pengun. 11 Prit jashtë e atje huamarrësi do të ta sjellë pengun. 12 Nëse ai është i varfër, mos ia mbaj pengun gjatë natës. 13 Ktheja menjëherë në të perënduar, që ai të shtrihet në rrobën e vet e të të bekojë. Kjo do të të bëjë të drejtë para Zotit, Perëndisë tënd.
14 Mos e shfrytëzo mëditësin e varfër e nevojtar, as izraelitin e as të huajin që banon në një nga qytetet e tua. 15 Jepja përditë pagën, përpara se të perëndojë dielli, sepse është i varfër e me të mbahet gjallë, që ai të mos e thërrasë Zotin kundër teje e ti të biesh në mëkat.
16 Mos i dëno me vdekje etërit për faj të fëmijëve e as fëmijët për faj të etërve. Secili do të dënohet me vdekje për fajin e vet.
17 Mos ia shtrembëro të drejtën të ardhurit jetim. Mos ia merr peng rrobën të vesë. 18 Mos harro se edhe ti ishe skllav në Egjipt e Zoti, Perëndia yt, të çliroi prej andej, prandaj unë po të urdhëroj që të bësh kështu.
19 Kur të korrësh arën, nëse harron ndonjë dorëz, mos u kthe ta marrësh. Lëre për të ardhurin, jetimin e të venë, që Zoti, Perëndia yt, të bekojë çdo vepër të duarve të tua. 20 Kur t’i shkundësh ullinjtë nga pema, mos këput çfarë mbetet nëpër degë. Lëri për të ardhurin, jetimin e të venë. 21 Kur të vjelësh vreshtin, mos i mblidh vilet e mbetura. Lëri për të ardhurin, jetimin e të venë. 22 Kujtohu se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit, prandaj edhe unë po të urdhëroj që të bësh këtë gjë».