Ligji i Përtërirë 21

Vrasjet

«Nëse në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep për të pushtuar gjendet dikush i vrarë përtokë e askush nuk e di se kush e vrau, pleqtë dhe gjykatësit të dalin e të llogaritin largësinë mes kufomës dhe qyteteve përreth. Pleqtë e qytetit më të afërt të marrin një mëshqerrë që nuk është vënë në punë apo në zgjedhë. Pleqtë ta çojnë mëshqerrën në një luginë me ujë të rrjedhshëm, të papunuar e të pambjellë, e atje t’i thyejnë qafën. Atëherë do të vijnë priftërinjtë, bijtë e Levit, sepse ata i zgjodhi Zoti, Perëndia yt, që t’i shërbejnë e të bekojnë në emër të Zotit. Fjala e tyre do t’i japë fund çdo zënke e mosmarrëveshjeje. Pastaj pleqtë e qytetit më të afërt të lajnë duart mbi mëshqerrën, të cilës ia thyen qafën në luginë e të thonë: “Duart tona nuk e derdhën këtë gjak e sytë tanë nuk panë asgjë. Shlyeje, o Zot, fajin e Izraelit, popullit tënd, që e çlirove. Mos ia ngarko Izraelit, popullit tënd, gjakun e pafajshëm”. Kështu faji i gjakderdhjes do t’u shlyhet e ti do ta zhdukësh këtë faj nga mesi yt, sepse veprove drejt para Zotit.

Robërit

10 Kur të shkosh në luftë kundër armiqve dhe Zoti, Perëndia yt, t’i dorëzon e ti i zë rob, 11 nëse sheh mes robërve ndonjë grua të pashme, që e dëshiron dhe e merr për grua, 12 atëherë, kur ta sjellësh në shtëpi, ajo ta rruajë kokën, të presë thonjtë 13 dhe të heqë rrobat e robërisë. Të rrijë në shtëpinë tënde e të vajtojë të atin e të ëmën për një muaj. Pastaj mund të flesh me të. Ti do të bëhesh burri i saj dhe ajo do të jetë gruaja jote. 14 Nëse nuk do të jesh i kënaqur me të, lëre të shkojë e lirë. Nuk do ta shesësh me para e as nuk do ta trajtosh si skllave, sepse tashmë e ke poshtëruar.

Të parëlindurit

15 Nëse dikush ka dy gra dhe njërën e do, por tjetrën e urren, dhe nëse të dyja i lindin nga një djalë, por gruaja që urren lind e para, 16 kur të vijë koha për të ndarë pasurinë mes fëmijëve, nuk mund ta trajtojë birin e gruas që do sikur të ishte i parëlinduri i gruas që urren. 17 Ta pranojë të parëlindurin, birin e gruas që urren, dhe t’i japë dyfishin e gjithçkaje, sepse ai është i fryti i parë i burrërisë së tij dhe atij i përket e drejta e parëlindjes.

Biri i pabindur

18 Nëse dikush ka një djalë kokëfortë e të pabindur, që nuk ia dëgjon fjalën të atit apo të ëmës, edhe pasi e qortojnë, 19 atëherë i ati dhe e ëma ta marrin të birin e ta çojnë te pleqtë e qytetit, te portat e atij vendi 20 e t’u thonë: “Ky, biri ynë, është kokëfortë, i pabindur, nuk na e dëgjon fjalën, është grykës e pijanec”. 21 Atëherë të gjithë njerëzit e qytetit ta vrasin me gurë. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Tërë Izraeli do të dëgjojë e do të ketë frikë.

Rregulla të tjera

22 Nëse dikush kryen ndonjë mëkat, që ndëshkohet me vdekje, vritet dhe varet në pemë, 23 mos e lër kufomën të varur gjatë natës. Varrose po atë ditë, sepse i varuri është mallkim para Perëndisë. Mos e përdhos tokën që po të jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt».