1 «Mos i flijo Zotit, Perëndisë tënd, ka apo dele me ndonjë të metë apo ndonjë të keqe tjetër, sepse është e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd.
2 Nëse gjendet në mesin tënd, në ndonjërin prej qyteteve që po të jep Zoti, Perëndia yt, ndonjë burrë apo grua, që bën çka është e ligë para Zotit, Perëndisë tënd, nëse ai apo ajo e thyen besëlidhjen e Zotit 3 duke i shërbyer perëndive të tjerë e duke adhuruar diellin, hënën apo gjithçka që është në qiell, të cilët unë i ndalova, 4 atëherë, pasi të vihesh në dijeni, hetoje mirë. Nëse del e vërtetë se një poshtërsi e tillë është kryer në Izrael, 5 atëherë sille te portat e qytetit këtë burrë apo grua që ka kryer këtë gjë të ligë e vrite me gurë. 6 Dënimi me vdekje të jepet në bazë të dy ose tre dëshmitarëve. Mos jep dënim me vdekje në bazë të një dëshmitari të vetëm. 7 Dëshmitarët t’i ngrenë duart të parët për të qëlluar me gurë e pastaj t’i ngrejë duart tërë populli. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt.
Çështjet e vështira
8 Nëse e ke të vështirë të gjykosh ndonjë çështje ligjore, që del në qytetin tënd, çështje gjakderdhjeje, të drejte apo çështje dëmi, shko te vendi që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt. 9 Do t’u drejtohesh priftërinjve levitë dhe gjykatësit që është në detyrë gjatë asaj kohe. Do t’i pyesësh për çështjen në fjalë dhe ata do të të japin një vendim. 10 Vepro sipas vendimit që do të të jepet në vendin që do të zgjedhë Zoti. Bëj me kujdes gjithçka që do të të mësojnë ata. 11 Vepro sipas ligjit që të mësojnë ata e sipas vendimit që të thonë ata. Mos iu shmang as djathtas e as majtas fjalës që të tregojnë ata. 12 Ai që, për shkak të mendjemadhësisë, nuk e dëgjon gjykatësin ose priftin që i shërben atje Zotit, Perëndisë tënd, të dënohet me vdekje. Kështu do ta zhdukësh ligësinë prej Izraelit. 13 Tërë populli do të dëgjojë, do të ketë frikë e nuk do sillet më me mendjemadhësi.
Mbreti
14 Kur të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, kur ta pushtosh e të banosh në të e të thuash: “Dua të vë një mbret, siç bëjnë tërë popujt përreth meje”, 15 atëherë cakto mbret atë që do të zgjedhë Zoti, Perëndia yt. Merre mbretin nga mesi i vëllezërve të tu. Mos merr një të huaj që nuk është vëllai yt. 16 Veçse, mbreti nuk duhet të mbledhë shumë kuaj e nuk duhet ta çojë popullin në Egjipt, që të shtojë numrin e kuajve, sepse Zoti të tha që të mos i kthehesh më asaj udhe. 17 Të mos ketë shumë gra, që të mos i shmanget zemra nga udha e Zotit. Të mos ketë me tepri ar e argjend. 18 Kur të marrë fronin e mbretërisë, të shkruajë për vete një kopje të këtij ligji në prani të priftërinjve levitë. 19 Ta ketë me vete e ta lexojë tërë ditët e jetës së tij, që të mësojë ta druajë Zotin, Perëndinë e tij, e të mbajë e zbatojë çdo fjalë të këtij ligji e të këtyre rregullave. 20 Të mos jetë kryelartë përmbi vëllezërit e të mos u shmanget as djathtas e as majtas urdhërimeve, që të mbretërojë gjatë ai dhe bijtë e tij në Izrael».