Viti shtunor
1 «Në fund të çdo viti të shtatë do të shpallësh shlyerjen e huave. 2 Atë vit do të veprohet kështu: çdo huadhënës do ta falë huan e dhënë e nuk do ta kërkojë atë nga i afërti apo nga i vëllai, sepse është viti i faljes së Zotit. 3 Të huajve mund t’ua kërkosh huan, vëllezërve të tu, do t’ua falësh. 4 Gjithsesi, nuk do të ketë skamnorë mes jush, sepse Zoti, Perëndia yt, do ta bekojë tokën, që po të jep për trashëgimi, 5 nëse e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, e i mban tërë këto urdhërime që unë po të urdhëroj sot. 6 Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë, siç të premtoi e ti do t’u japësh hua shumë kombeve, por vetë nuk do të marrësh hua. Do të sundosh shumë kombe, por ty nuk do të të sundojnë.
7 Por, nëse ka ndonjë skamnor mes izraelitëve, vëllezërve të tu, në ndonjë prej qyteteve në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, mos u trego zemërgur e dorështrënguar me vëllanë tënd nevojtar. 8 Ji dorëhapur me të e jepi hua mjaftueshëm çka do që ka nevojë. 9 Ruhu se mendon gjëra të pahijshme e thua: “Do ta shpërfill vëllanë nevojtar e nuk do t’i jap hua, ngaqë po afron viti i shtatë, viti i faljes së huave”. Atëherë ai do t’i thërrasë Zotit kundër teje dhe ti do të biesh në mëkat. 10 Jepi me gjithë zemër e pa u trishtuar, sepse kështu, Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo vepër e çdo punë të duarve të tua. 11 Ngaqë skamnorët nuk do të reshtin në tokën tënde, unë po të urdhëroj që të tregohesh dorëhapur ndaj vëllait tënd nevojtar e të varfër.
12 Nëse të shesin ndonjë hebre apo hebreje, ai ose ajo do të të shërbejë për gjashtë vjet, por vitin e shtatë do ta lësh të shkojë të lirë. 13 Kur ta lësh të lirë, mos e nis duarzbrazur. 14 Mbushe plot me prodhimet e bagëtisë, lëmit e torkut tënd. Jepi, siç të bekoi edhe ty Zoti, Perëndia yt. 15 Mos harro se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit dhe se të çliroi Zoti, Perëndia yt, prandaj dhe unë po ta urdhëroj sot këtë gjë. 16 Por, nëse ai thotë: “Nuk dua të largohem prej teje”, sepse e do shtëpinë tënde dhe gjendet mirë me ty, 17 atëherë merr një fëndyell, shpoja veshin te dera dhe ai do të jetë përgjithmonë skllavi yt. Kështu do të bësh edhe me skllaven tënde.
18 Mos të të duket e vështirë ta lësh të lirë, sepse për gjashtë vjet ai të shërbeu sa dyfishi i një mëditësi. Zoti, Perëndia yt, do të bekojë çdo gjë që bën.
Të parëlindurit
19 Shenjtëroja Zotit, Perëndisë tënd, të gjithë të parëlindurit meshkuj të qeve e të dhenve. Mos e vër në punë të parëlindurin e kaut e mos e qeth të parëlindurin e dhenve. 20 Ti dhe familja jote t’i hani çdo vit para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që do të zgjedhë Zoti. 21 Nëse i parëlinduri ka ndonjë të metë, nëse është i çalë, i verbër apo ka ndonjë të keqe tjetër, mos ia flijo Zotit, Perëndisë tënd. 22 Atë mund ta hash në qytetin tënd dhe prej tij mund të hajë si i pastri, ashtu edhe i papastri, siç hahet mishi i gjahut. 23 Gjakun mos ia ha, por derdhe në tokë si ujë».