Ligji i Përtërirë 1

Fjalimi i parë

Këto janë fjalët që Moisiu i tha tërë Izraelit kur ishin përtej Jordanit, në shkretëtirë, në Arabah, kundruall Sufit, midis Paranit, Tofelit, Labanit, Hacerotit dhe Di Zahabit. Udhëtimi prej Horebit deri në Kadesh Barne zgjat njëmbëdhjetë ditë, nëse i bie nga mali i Seirit. Pas dyzet vjetësh, në ditën e parë të muajit të njëmbëdhjetë, Moisiu i tha Izraelit gjithçka urdhëroi Zoti për ta. Kjo ndodhi pasi mundi Sihonin, mbretin e amoritëve, që banonte në Heshbon, dhe pasi mundi në Edrej Ogun, mbretin e Bashanit, që banonte në AshtarotaKur ishin përtej Jordanit, në tokën e Moabit, Moisiu filloi të shtjellojë këtë ligj: «Zoti, Perëndia ynë, na tha në malin Horeb: “Mjaft qëndruat në këtë mal. Kthehuni, nisuni e hyni në malësinë e amoritëve dhe në krahinat fqinje, në Arabah, në malësi, në Shefelah, në Negev e në bregdet, në tokën e Kanaanit e të Libanit, deri te lumi i madh Eufrat. Ja, jua kam vënë përpara vendin. Hyni dhe pushtoni tokën që Zoti iu betua t’ua japë etërve tuaj, Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre”.

Asokohe ju thashë: “Nuk mund t’ju prij vetëm. 10 Zoti, Perëndia juaj, ju ka shumuar dhe sot, ja ku jeni, të shumtë sa yjet e qiellit. 11 Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju shtoftë edhe një mijë herë më shumë e ju bekoftë siç ju ka premtuar, 12 por si do t’i përballoj i vetëm peshën, barrën dhe zënkat tuaja? 13 Zgjidhni, pra, për çdo fis, burra të urtë, të zgjuar e të dijshëm, që t’jua caktoj si krerë”. 14 E ju m’u përgjigjët: “Mirë thua!”. 15 Atëherë i mora krerët e çdo fisi, burrat e urtë e të dijshëm, dhe i vura në krye si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë e të dhjetë vetave dhe si mbikëqyrës të fiseve. 16 Asokohe i urdhërova gjykatësit: “Dëgjojini vëllezërit tuaj e gjykojini me drejtësi, ata dhe të ardhurit mes tyre. 17 Mos mbani anën e askujt. Dëgjojeni si të voglin, edhe të madhin. Mos kini frikë askënd, sepse gjykimi i përket Perëndisë. Çështjet e vështira paraqitini tek unë e unë do t’i dëgjoj”. 18 Asokohe ju urdhërova gjithçka që duhet të bëni.

Vrojtuesit e tokës

19 Pastaj u nisëm nga Horebi, siç na urdhëroi Zoti, Perëndia ynë, dhe përshkuam tërë atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, që patë rrugës së malësisë së amoritëve, derisa arritëm në Kadesh Barne. 20 Atëherë ju thashë: “Keni mbërritur në malësinë e amoritëve që po na jep Zoti, Perëndia ynë. 21 Ja, Zoti, Perëndia yt, ta ka vënë përpara tokën. Ngrihu e pushtoje siç të tha Zoti, Perëndia i etërve të tu. Mos ki frikë e mos u tremb!”.

22 Të gjithë ju m’u afruat e më thatë: “Të dërgojmë më parë disa njerëz, që të vëzhgojnë tokën, për të na treguar udhën nëpër të cilën do të ngjitemi dhe qytetet ku do të shkojmë”. 23 Kjo m’u duk gjë e mirë, prandaj zgjodha prej jush dymbëdhjetë veta, nga një për çdo fis. 24 Këta u nisën, iu ngjitën maleve dhe, si mbërritën në luginën e Eshkolit, e përgjuan. 25 Pastaj mblodhën disa fruta të tokës atje, që i sollën me vete, e na sollën këtë lajm: “Toka që po na jep Zoti, Perëndia ynë, është tokë e mirë”.

26 Por ju nuk deshët të shkonit e ngritët krye kundër urdhrit të Zotit, Perëndisë tuaj. 27 Murmuritët në tendat tuaja e thatë: “Zoti na urren, prandaj edhe na nxori nga toka e Egjiptit, për të na dorëzuar te amoritët, që të na zhbijnë. 28 Ku të ngjitemi? Vëllezërit na e futën frikën, duke thënë: populli i tyre është më i madh e më shtatlartë se i yni. Qytetet janë të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, madje atje vumë re edhe pasardhësit e anakitëve”. 29 Unë ju thashë: “Mos u tmerroni e mos kini frikë prej tyre! 30 Zoti, Perëndia juaj, që ju prin, ai vetë do të luftojë për ju ashtu siç bëri gjithçka për ju në Egjipt 31 e në shkretëtirë, ku patë sesi Zoti, Perëndia juaj, ju mbarti si fëmijë përgjatë gjithë udhës që ndërmorët derisa mbërritët në këtë vend”. 32 Megjithatë, ju nuk i zutë besë Zotit, Perëndisë tuaj, 33 atij që ju prin udhës për t’ju gjetur vendfushim, që natën ju prin me zjarr e ditën me re për t’ju treguar udhën që duhet të ndiqni.

Dënimi

34 Kur Zoti jua dëgjoi zërin, u zemërua e u betua: 35 “Asnjëri prej kësaj breznie të mbrapshtë nuk ka për ta parë tokën e mirë, që u betova t’ua jepja etërve tuaj, 36 përveç Kalebit, birit të Jefunehut. Ai ka për ta parë. Atij e pasardhësve të tij do t’ia jap tokën që shkeli me këmbë, se i qëndroi besnik Zotit”. 37 Zoti u zemërua edhe me mua për shkakun tuaj e më tha: “As ti nuk ke për të hyrë atje! 38 Jozuehu, biri i Nunit, që të shërben, ka për të hyrë. Jepi zemër, se ai do t’ia japë tokën si trashëgimi Izraelit. 39 Edhe të vegjlit tuaj, për të cilët thatë se do të zihen rob, do të hyjnë bashkë me fëmijët tuaj, që nuk dinë ende të ndajnë të mirën nga e keqja. Atyre do t’ua jap vendin e ata do ta pushtojnë. 40 Ndërsa ju, kthehuni e nisuni drejt shkretëtirës, udhës së detit të Kuq”.

41 Atëherë ju m’u përgjigjët e më thatë: “Mëkatuam kundër Zotit! Do të ngjitemi e do të shkojmë në luftë, siç na urdhëroi Zoti, Perëndia ynë”. Kështu, të gjithë ngjeshët armët e luftës dhe, me mendjelehtësi, iu ngjitët malësisë. 42 Por Zoti më tha: “Thuaju të mos ngjiten e të mos shkojnë në luftë, sepse unë nuk jam mes tyre, prandaj dhe do të munden nga armiqtë”. 43 Unë jua thashë, por ju nuk dëgjuat. Kështu, ngritët krye kundër Zotit e, me kryeneçësi, iu ngjitët malësisë. 44 Atëherë amoritët, malësorët e vendit, dolën për t’u ndeshur. Ju vërsulën si një tufë bletësh e ju shpartalluan nga Seiri deri në Hormah. 45 Pastaj u kthyet e vajtuat para Zotit, por ai nuk ju dëgjoi e as i vuri vesh vajtimit tuaj. 46 Kështu, ndenjët në Kadesh për një kohë të gjatë».


 a1.4 të tjerë: dhe në Edrej