Flitë për mëkatet
1 «Kush dëgjon një përbetim dhe është dëshmitar për diçka që ka parë apo dëgjuar e nuk dëshmon, mëkaton dhe është fajtor. 2 Po ashtu, kush prek pa dashje një gjë të papastër, si kërmën e një kafshe të papastër, kërmën e një kafshe shtëpiake të papastër apo kërmën e një zvarraniku të papastër, mëkaton dhe është fajtor. 3 Kush prek pa dashje një papastërti njeriu, çfarëdolloj papastërtie që e ndot, sapo ta marrë vesh, është fajtor. 4 Kush betohet pa u menduar mirë, për mirë apo për keq, sa herë që dikush betohet me buzë pa u menduar mirë dhe pa dashje, sapo ta marrë vesh, është fajtor. 5 Kush është fajtor për një nga këto gjëra, duhet ta pranojë mëkatin. 6 Atëherë le t’i paraqesë Zotit si fli faji për mëkatin që ka bërë një bagëti të imët femër, një qengj femër ose një dhi si fli mëkati, që prifti t’i bëjë shlyerjen e mëkatit.
7 Kush s’e ka mundësinë të kushtojë një dele, t’i paraqesë Zotit dy turtuj ose dy zogj pëllumbi si fli faji për mëkatin që ka bërë, njërin si fli mëkati dhe tjetrin si fli shkrumbimi. 8 T’ia paraqesë priftit. Ai të kushtojë në fillim flinë për mëkatin, duke ia përdredhur qafën, pa e këputur kokën. 9 Një pjesë të gjakut ta spërkatë në anë të altarit, ndërsa pjesën tjetër ta kullojë te themelet e altarit. Kjo është flija për mëkatin. 10 Turtullin ose pëllumbin tjetër ta kushtojë si fli shkrumbimi sipas rregullit, që prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit që ka bërë dhe ai të marrë faljen. 11 Nëse nuk e ka mundësinë të kushtojë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, të paraqesë si fli për mëkatin që ka bërë, tre kilogramë majë mielli si fli për mëkatin, pa i hedhur vaj dhe pa i vënë temjan përsipër, sepse është fli mëkati. 12 T’ia paraqesë miellin priftit, prifti ta mbushë grushtin si fli përkujtimi dhe ta djegë në altar, mbi flitë e zjarrit, për Zotin. Kjo është fli për mëkatin. 13 Prifti të bëjë për të shlyerjen e mëkatit që ka bërë për secilën nga këto gjëra dhe ai do të marrë faljen. Pjesa e mbetur e flisë së drithit i takon priftit».
14 Zoti i tha Moisiut: 15 «Kush kryen shkelje e mëkaton, duke shpërfillur ndonjë prej gjërave të shenjta të Zotit, t’i paraqesë Zotit si fli për fajin një dash të patëmetë prej kopesë, të vlerësuar në sikla argjendi, sipas siklës së shenjtërores, për flitë për fajin. 16 Dëmin që bëri ndaj shenjtërores ta paguajë, duke shtuar edhe një të pestën e vlerës e t’ia japë priftit. Prifti të bëjë për të shlyerjen e mëkatit, duke kushtuar dashin si fli faji, dhe ai do të marrë faljen.
17 Kush mëkaton pa dashje kundër cilitdo urdhërimi të Zotit dhe bën çka nuk duhet bërë, është fajtor dhe duhet të përgjigjet për fajin. 18 T’i paraqesë priftit një dash prej kopesë, sipas vlerësimit tuaj për flitë e fajit. Prifti të kryejë për të shlyerjen e shkeljes që bëri pa dashje dhe ai do të marrë faljen. 19 Kjo është fli për fajin, sepse ai njeri ishte fajtor para Zotit».
20 a Zoti i tha sërish Moisiut: 21 «Kush mëkaton e bën paudhësi ndaj Zotit, duke gënjyer bashkëkombësin e vet në lidhje me një send apo me një sasi të hollash, që i ishin lënë në ruajtje, nëse e vjedh apo e mashtron bashkëkombësin e vet, 22 nëse gjen ndonjë send të humbur dhe e mohon, apo bën betim të rremë për gjëra që njerëzit i bëjnë kur mëkatojnë, 23 nëse ka mëkatuar kështu, ai është fajtor dhe duhet të kthejë gjënë e grabitur me vjedhje apo me mashtrim, sasinë e të hollave që i ishte lënë në ruajtje, sendin e humbur që ka gjetur, 24 apo gjënë për të cilën bëri betim të rremë. Kujt i bëri dëmin do t’i kthejë, po atë ditë që i merret vesh faji, jo vetëm vlerën e dëmit, por do të shtojë edhe një të pestën e vlerës. 25 Mandej t’i paraqesë Zotit si fli për fajin një dash të patëmetë prej kopesë, sipas vlerësimit tuaj për flitë e fajit. 26 Prifti të bëjë për të shlyerjen e shkeljes para Zotit dhe ai do të marrë faljen për të gjitha shkeljet që e bënë fajtor».