Levitiku 26

Bekimet

«Mos bëni idhuj të rremë e as shtatore idhujsh për veten tuaj, mos ngrini shtylla të shenjta e mos bëni gurë me fytyra të gdhendura për t’i adhuruar në tokën tuaj, se unë jam Zoti, Perëndia juaj. Mbajini të shtunat e mia e druani shenjtëroren time. Unë jam Zoti.

Nëse ecni sipas vendimeve të mia, nëse i mbani urdhërimet e mia e i zbatoni ato, do t’ju jap shira në kohën e duhur, që toka të japë prodhim dhe që pemët e arave të mbushen me fruta. Atëherë korrjet tuaja do të zgjatin deri në kohën e vjeljes dhe vjelja deri në kohën e korrjes. Do të hani bukë sa të ngiheni e do të jetoni të sigurt në vendin tuaj.

Do t’i jap paqe vendit e do të flini të qetë, pa ju trembur kush. Bishat e egra do t’i zhduk prej vendit tuaj dhe shpata nuk do ta përshkojë. Do t’i ndiqni armiqtë e ata do të bien para jush prej shpatës. Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre. Armiqtë do të bien prej shpatës suaj.

Do ta kthej vështrimin nga ju, do t’ju bëj pjellorë e do t’ju shtoj dhe besëlidhjen time me ju do ta mbaj. 10 Do të hani prej prodhimit të vjetër e do t’ju zgjatë, mandej do ta hidhni për t’i bërë vend prodhimit të ri. 11 Do ta ngre banesën time mes jush e nuk do t’ju përbuz. 12 Do të eci mes jush, do të jem Perëndia juaj e ju do të jeni populli im. 13 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxora prej tokës së Egjiptit, që të mos ishit më skllevër të tyre. Unë i theva shufrat e zgjedhës suaj, që të ecnit me kokën lart».

Dënimet

14 «Por, nëse nuk më dëgjoni e nuk i zbatoni këto urdhërime, 15 nëse i hidhni poshtë rregullat e mia, nëse i përbuzni vendimet e mia dhe nuk i zbatoni urdhërimet e mia, por e thyeni besëlidhjen time, 16 atëherë edhe unë do t’ju ndëshkoj. Do t’ju shtie tmerrin, do t’ju rraskapit e do t’ju fus ethet. Sytë do t’ju mpaken e jeta do t’ju venitet. Do të mbillni, por më kot, sepse armiqtë do t’jua hanë të korrat. 17 Do të kthehem kundër jush e do të mposhteni prej armiqve. Ata që ju urrejnë do të sundojnë mbi ju e do të merrni arratinë pa ju ndjekur kush.

18 Nëse nuk do të më dëgjoni edhe pas kësaj, do t’jua shtatëfishoj ndëshkimet për shkak të mëkateve tuaja. 19 Do ta poshtëroj krenarinë e madhështisë tuaj dhe qiellin do t’jua bëj si hekur e tokën si bronz. 20 Mundi do t’u shkojë kot, se toka s’do të japë prodhim e pemët s’do të japin fruta. 21 Nëse veproni kundër meje dhe nëse nuk më dëgjoni, do t’jua shtatëfishoj plagët tuaja sipas mëkateve tuaja. 22 Do të lëshoj kundër jush egërsirat që do t’ju lënë pa fëmijë, do t’ju shfarosin bagëtitë, do t’ju pakësojnë në numër dhe udhët do t’jua shkretojnë.

23 Nëse edhe pas këtyre nuk do të ndreqeni për t’u kthyer tek unë, por do të veproni kundër meje, 24 edhe unë do të veproj kundër jush e do t’ju godas shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja. 25 Do të dërgoj mbi ju shpatën hakmarrëse të besëlidhjes sime dhe, kur të mblidheni nëpër qytetet tuaja, do të dërgoj ndër ju murtajën e do të bini në dorë të armiqve. 26 Kur t’jua thyej enëndh e bukës, vetëm dhjetë gra do të pjekin bukë për ju në një furrë të vetme dhe bukën do t’jua japin me masë. Do të hani, por nuk do të ngiheni.

27 Nëse nuk më dëgjoni as kështu dhe veproni kundër meje, 28 do të veproj edhe unë kundër jush i zemëruar e do t’ju ndëshkoj shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja. 29 Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të ushqeheni me mishin e bijave tuaja. 30 Faltoret tuaja në vende të larta do t’i shkatërroj, altarët e temjanit do t’i rrënoj, kufomat tuaja do t’i bëj pirg mbi kufomat e idhujve tuaj e do t’ju përbuz. 31 Qytetet tuaja do t’i kthej në gërmadha, altarët tuaj do t’i rrënoj e nuk do ta nuhas erën e këndshme të flive tuaja. 32 Do ta shkretoj tokën tuaj. Armiqtë tuaj, që banojnë në të, do të shtangen nga habia kur ta shohin, 33 ndërsa ju do t’ju hapërdaj ndër kombe dhe do të vringëllij shpatën pas jush. Toka juaj do të mbetet e shkretë dhe qytetet tuaja do të kthehen në gërmadha.

34 Atëherë toka do të shijojë prehjen e të shtunave të saj gjatë kohës që do të jetë e shkretë. Kur të jeni në vendin e armiqve tuaj, toka do të pushojë dhe do të shijojë të shtunat e saj. 35 Do të prehet gjatë gjithë kohës që do të jetë e shkretë, sepse nuk pushoi gjatë të shtunave tuaja, kur banonit në të.

36 Atyre që do të mbesin gjallë prej jush nëpër vendet e armiqve, do t’u fus në zemër tmerrin. Edhe fërfërima e gjethes që bie do t’i bëjë t’ia mbathin. Do të ikin prej shpatës dhe do të bien pa i ndjekur kush. 37 Do të përplasen me njëri-tjetrin si të iknin prej shpatës, pa i ndjekur kush. Asnjëri prej jush nuk do t’i bëjë dot ballë armikut. 38 Do të shuheni mes kombeve dhe do t’ju përpijë toka e armiqve tuaj. 39 Edhe ata prej jush që do të mbesin gjallë nëpër vendet e armiqve tuaj, do të kalben në paudhësitë e tyre. Do të kalben bashkë me etërit e tyre për shkak të paudhësive të tyre».

Premtimi i përtëritjes

40 «Ata që do të mbesin, do ta pranojnë paudhësinë e tyre dhe paudhësinë e etërve të tyre, kur më tradhtuan e vepruan kundër meje. 41 Prandaj, edhe unë veprova kundër tyre e i degdisa në vendin e armiqve të tyre.

Nëse zemra e tyre e parrethprerë përulet dhe ata e pranojnë paudhësinë, 42 atëherë unë do të kujtohem për besëlidhjen time me Jakobin, për besëlidhjen time me Isakun dhe për besëlidhjen time me Abrahamin. Do të kujtohem edhe për tokën, 43 e cila, kur të jetë braktisur prej tyre dhe të ketë mbetur e shkretë, do të shijojë të shtunat e veta. Ndërsa ata do të pranojnë ndëshkimin e paudhësisë së tyre, sepse nuk i pranuan vendimet e mia dhe i përbuzën rregullat e mia.

44 Por, edhe kur të jenë në tokën e armiqve nuk do të heq dorë prej tyre, nuk do t’i përbuz, që të mos marrin fund dhe nuk do ta zhbëj besëlidhjen time me ta. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre. 45 Do t’u kujtoj besëlidhjen që bëra me të parët e tyre, të cilët i nxora prej dheut të Egjiptit para syve të kombeve, që të bëhem Perëndia i tyre. Unë jam Zoti».

46 Këto janë rregullat, vendimet e ligjet që Zoti caktoi mes tij dhe izraelitëve përmes Moisiut në malin e Sinait.


 dh26.26 he. shkopin