Mëkate të ndryshme
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Thuaju izraelitëve: nëse ndonjë izraelit apo i ardhur, që jeton në Izrael, i kushton fëmijën e vet si fli Molekut, të vritet. Populli i vendit ta vrasë me gurë. 3 Unë vetë do të kthehem kundër atij njeriu dhe do ta zhbihet prej popullit të tij, sepse ai ia dhuroi fëmijën Molekut, duke e ndotur shenjtëroren time dhe duke përdhosur emrin tim të shenjtë. 4 Nëse populli i vendit i mbyll sytë për të mos e parë atë njeri, që i dhuron fëmijën Molekut, dhe nuk e vret, 5 unë do të kthehem vetë kundër atij njeriu e kundër farefisit të tij dhe do ta zhbij prej popullit të tij, bashkë me të gjithë ata që kurvërojnë duke u dhënë pas Molekut. 6 Unë do të kthehem edhe kundër atij që kurvëron, duke u dhënë pas atyre që thërrasin shpirtra të vdekurish e pas yshtarëve, dhe do ta zhbij prej popullit të tij. 7 Shenjtërohuni dhe jini të shenjtë, sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.
8 Mbajini vendimet e mia dhe zbatojini ato. Unë jam Zoti që ju shenjtëron. 9 Nëse dikush mallkon të atin dhe të ëmën, të vritet. Ka mallkuar të atin dhe të ëmën, prandaj gjaku i tij bie mbi vetë atë. 10 Nëse dikush shkel kurorën me një grua të martuar, domethënë me gruan e të afërtit, ai që kurvëroi dhe ajo që kurvëroi duhet të vriten. 11 Nëse dikush bie në shtrat me njerkën, duke zbuluar kështu lakuriqësinë e të atit, të vritet bashkë me njerkën dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. 12 Nëse dikush bie në shtrat me të renë e vet, të vriten që të dy. Kanë kryer një shtrembërim. Gjaku i tyre rëntë mbi ta. 13 Nëse një mashkull bie në shtrat me një mashkull, siç bëhet me një femër, kanë kryer fëlligështi. Të vriten që të dy dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. 14 Nëse dikush martohet me një grua dhe me nënën e saj, ka kryer poshtërsi. Edhe ai, edhe ato të digjen në zjarr.
Mes jush nuk do të ketë poshtërsi.
15 Nëse dikush kryen marrëdhënie me një kafshë, të vritet edhe ai, edhe kafsha. 16 Nëse një grua jepet me epsh pas një kafshe, të vritet edhe gruaja, edhe kafsha. Të vriten dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta. 17 Nëse dikush merr për grua motrën e vet, bijën e atit të vet apo bijën e nënës së vet, dhe sheh lakuriqësinë e saj dhe ajo të tijën, kjo është vepër e turpshme. Le të zhbihen në sy të popullit, sepse ka zbuluar lakuriqësinë e së motrës, dhe ai le të mbajë fajin e vet. 18 Nëse dikush bie në shtrat me ndonjë grua gjatë të përmuajshmeve të saj dhe i zbulon lakuriqësinë, duke zbuluar burimin e gjakrrjedhjes së saj, por edhe ajo të gjakrrjedhjes së vet, të zhbihen që të dy prej popullit.
19 Mos e zbulo lakuriqësinë e motrës së nënës sate apo të motrës së atit tënd, sepse zbulon lakuriqësinë e të afërmit. Këta le të mbajnë fajin e vet. 20 Nëse dikush bie në shtrat me gruan e ungjit të vet, zbulon lakuriqësinë e ungjit. Ai dhe gruaja do të mbajnë fajin e vet dhe do të vdesin pa fëmijë. 21 Kush merr gruan e të vëllait, kryen gjë të papastër. Ai ka parë lakuriqësinë e të vëllait dhe do të mbetet pa fëmijë.
22 Mbajini të gjitha rregullat e mia dhe të gjitha vendimet e mia, zbatojini ato, që të mos ju vjellë edhe ju toka, në të cilën po ju çoj për të banuar. 23 Mos jetoni sipas ligjeve të kombeve, që unë po dëboj para jush, sepse ata i kanë bërë të gjitha këto, prandaj më janë neveritur. 24 Juve ju kam thënë: do ta merrni si trashëgim tokën e tyre dhe unë do t’ju jap si trashëgim një tokë, në të cilën rrjedh qumësht e mjaltë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju ka ndarë prej popujve të tjerë. 25 Bëni dallim mes kafshëve të papastra e të pastra, mes zogjve të papastër e të pastër dhe mos u ndotni me kafshë, me shpendë e me çdo gjë që zvarritet mbi tokë dhe që për ju unë i kam ndarë si të papastra. 26 Do të jeni të shenjtë për mua, sepse unë, Zoti, jam i shenjtë dhe ju kam ndarë prej popujve, që të më përkisni mua. 27 Ai burrë ose ajo grua që thërrasin shpirtra të vdekurish apo që yshtin, të vriten. Le t’i vrasin me gurë dhe gjaku i tyre rëntë mbi ta».