Flija e drithit
1 «Kush dëshiron t’i kushtojë Zotit fli drithi, t’i kushtojë majë mielli. Të derdhë mbi të vaj e t’i vërë përsipër temjan. 2 T’ua paraqesë priftërinjve, bijve të Aronit. Prifti ta mbushë grushtin me majë mielli e me vaj, të marrë tërë temjanin e ta shkrumbojë mbi altar si fli përkujtimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin. 3 Çka mbetet prej flisë së drithit i takon Aronit e bijve të tij. Kjo është një pjesë shumë e shenjtë e flive të zjarrit për Zotin.
4 Nëse kushton fli drithi të pjekur në furrë, të kushtojë kuleç me majë mielli, pa tharm, të përzier me vaj, si edhe pite pa tharm të lyera me vaj. 5 Nëse kushton fli drithi të pjekur në saç, të jetë me majë mielli përzier me vaj e pa tharm. 6 Ndaje në copa e hidhi vaj përsipër. Kjo është flija e drithit. 7 Nëse kushton fli drithi të skuqur në tigan, të jetë me majë mielli përzier me vaj. 8 Paraqitja Zotit flinë e drithit të gatuar me këto gjëra. Jepja priftit, që ta çojë në altar. 9 Prifti të ndajë një pjesë nga flija e drithit e ta shkrumbojë mbi altar si fli përkujtimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin. 10 Çka mbetet prej flisë së drithit i takon Aronit e bijve të tij. Kjo është një pjesë shumë e shenjtë e flive të zjarrit për Zotin.
11 Asnjë nga flitë e drithit që i kushtohen Zotit të mos bëhet me tharm, sepse nuk do të shkrumboni asgjë me tharm apo me mjaltë si fli zjarri për Zotin. 12 Këto mund t’ia kushtoni Zotit si prodhime të para, por ato nuk do të vihen mbi altar si fli erëkëndshme. 13 Hidhi kripë çdo flije drithi dhe mos e lër flinë tënde të drithit pa kripën e besëlidhjes me Perëndinë tënd. Bashkë me të gjitha flitë e tua, kushto edhe kripën.
14 Nëse i kushton Zotit fli drithi të prodhimeve të para, kushtoji kallinj të pjekur në zjarr dhe kokrra drithi të shtypura, si fli drithi të prodhimeve të para. 15 Hidhi vaj dhe vendos mbi të temjan. Kjo është fli drithi. 16 Mandej, prifti të shkrumbojë si fli përkujtimi një pjesë të kokrrave të shtypura, një pjesë të vajit dhe të gjithë temjanin. Kjo është fli zjarri për Zotin».