Papastërtia trupore e burrit
1 Zoti i tha Moisiut e Aronit: 2 «Flisni me izraelitët e thuajuni: nëse ndonjë burrë ka rrjedhje prej gjymtyrës, rrjedhja është e papastër. 3 Papastërtia e tij vjen për shkak të rrjedhjes. Ai bëhet i papastër edhe kur gjymtyra e tij e nxjerr rrjedhjen, edhe kur gjymtyra e tij nuk e nxjerr rrjedhjen. 4 Çdo shtrat, ku shtrihet ai që ka pësuar rrjedhjen, është i papastër dhe çdo gjë, ku ulet ai, është e papastër. 5 Kush prek shtratin e tij, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 6 Kush ulet në vendin ku ka qenë ulur ai që ka pësuar rrjedhjen, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 7 Kush prek trupin e atij që ka pësuar rrjedhjen, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 8 Nëse ai që ka pësuar rrjedhjen pështyn mbi një njeri të pastër, ky të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 9 Çdo shalë, mbi të cilën ka kalëruar ai që ka pësuar rrjedhjen, është e papastër. 10 Kush prek ndonjë gjë që ka qenë nën atë që ka pësuar rrjedhjen, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Kush i mbart ato, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 11 Kushdo që preket me duar të palara nga ai që ka pësuar rrjedhjen, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 12 Nëse ai që ka pësuar rrjedhjen prek një enë balte, ena e baltës të thyhet, ndërsa ena e drurit të lahet me ujë.
13 Kur të pastrohet prej rrjedhjes, ai që ka pësuar rrjedhjen të numërojë shtatë ditë për pastrimin e vet. Atëherë të lajë rrobat dhe gjymtyrën me ujë të rrjedhshëm dhe do të jetë i pastër. 14 Ditën e tetë të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, të paraqitet para Zotit në hyrje të tendës së takimit e t’ia japë priftit. 15 Prifti ta kushtojë njërin zog si fli mëkati dhe tjetrin si fli shkrumbimi, duke kryer për të shlyerjen para Zotit për rrjedhjen e tij.
16 Nëse ndonjë burrë ka derdhje fare, ta lajë tërë trupin me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 17 Rrobat e lëkura, mbi të cilat ka rënë fara, të lahen me ujë, por do të jenë të papastra deri në mbrëmje. 18 Nëse një burrë kryen marrëdhënie me një grua, të lahen të dy me ujë, por do të jenë të papastër deri në mbrëmje».
Papastërtia trupore e gruas
19 «Nëse një grua ka rrjedhje gjaku dhe e ka prej të përmuajshmeve, ajo do të jetë e papastër për shtatë ditë dhe, kush e prek, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 20 Çdo shtrat ku shtrihet ajo do të jetë i papastër dhe çdo vend ku ulet ajo do të jetë i papastër. 21 Kush prek shtratin e saj, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 22 Kush prek vendin ku është ulur ajo, të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 23 Kush prek shtratin e saj apo çdo send që ka qenë mbi shtratin e saj, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 24 Kush shkon në shtrat me të, kur ajo është e papastër me të përmuajshmet, do të jetë i papastër për shtatë ditë dhe çdo shtrat ku shtrihet ai, do të jetë i papastër.
25 Nëse një grua pëson rrjedhje gjaku për shumë ditë, jo në kohën e të përmuajshmeve apo nëse rrjedhja e gjakut shkon përtej kohës së të përmuajshmeve, ajo do të jetë e papastër si të ishte me të përmuajshmet. 26 Çdo shtrat, ku shtrihet gjatë kohës që ka rrjedhje, do të jetë i papastër si shtrati kur është me të përmuajshmet dhe çdo vend, ku ulet, do të jetë i papastër si të ishte me të përmuajshmet. 27 Kush i prek ato bëhet i papastër. Të lajë rrobat dhe veten me ujë, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 28 Nëse rrjedhja e gjakut ndalet, të numërojë shtatë ditë dhe gruaja do të jetë e pastër. 29 Ditën e tetë të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi e t’ia sjellë priftit te hyrja e tendës së takimit. 30 Prifti ta kushtojë njërin zog si fli mëkati dhe tjetrin si fli shkrumbimi, duke kryer shlyerjen për të para Zotit për papastërtinë e rrjedhjes së gjakut. 31 Kështu, pra, veçojini izraelitët prej papastërtisë së tyre, që të mos vdesin për shkak të papastërtisë dhe të përdhosin tendën time që është mes tyre».
32 Ky është udhëzimi për atë që ka derdhje të farës, duke u bërë i papastër, 33 dhe për gruan, që bëhet e papastër për shkak të rrjedhjes së gjakut gjatë të përmuajshmeve, pra, për burrin dhe për gruan që pësojnë rrjedhje, si edhe për burrin që shkon në shtrat me një grua të papastër.