Për lehonat
1 Zoti i tha Moisiut: 2 «Fol me izraelitët e thuaju: kur gruaja shtatzënë lind djalë, ajo do të jetë e papastër për shtatë ditë, siç është e papastër edhe gjatë të përmuajshmeve. 3 Ditën e tetë djali të rrethpritet, 4 por ajo duhet të presë edhe tridhjetë e tri ditë për t’u pastruar nga gjaku i vet. Të mos prekë asgjë të shenjtë e të mos hyjë në shenjtërore, derisa të plotësojë ditët e pastrimit.
5 Nëse lind vajzë, ajo do të jetë e papastër për dy javë, si gjatë të përmuajshmeve. Të presë gjashtëdhjetë e gjashtë ditë për t’u pastruar nga gjaku i vet. 6 Kur të jenë plotësuar ditët e pastrimit për lindjen e një djali apo të një vajze, të sjellë një qengj motak si fli shkrumbimi dhe një zog pëllumbi ose një turtull si fli mëkati dhe t’ia japë priftit te hyrja e tendës së takimit. 7 Prifti t’i kushtojë para Zotit për të bërë shlyerjen për të dhe ajo do të pastrohet prej gjakrrjedhjes. Ky është udhëzimi për gruan që lind djalë ose vajzë. 8 Nëse nuk i ka mundësitë për të kushtuar një qengj, të marrë dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, njërin për flinë e shkrumbimit dhe tjetrin për flinë e mëkatit. Prifti të bëjë për të shlyerjen e ajo do të pastrohet».