Kënga e këngëve 6

Mikeshat

Ku shkoi i shtrenjti yt,

o e bukura ndër gra?

Nga ktheu i shtrenjti yt,

që me ty ne ta kërkojmë?

Ajo

Zbriti i shtrenjti im kah kopshti i vet,

kah lehet e erëzave,

kah kullotat e kopshteve,

lilakë për të këputur.

Të shtrenjtit tim i përkas unë

e mua m’përket i shtrenjti im,

ai që ndër lilakë kullot.

Poema e pestë

Ai

E bukur je, o mikja ime, porsi Tirca,

e hijshme si Jerusalemi,

madhështore si flamujt e shpalosur.

Hiqi sytë e tu prej meje,

se m’i morën mendtë,

flokët e tu si tufa e dhive,

tatëpjetë Gileadit.

Dhëmbët e tu si grigjë shqerrash

të gjitha dalë nga larja

mbarsur me binjakë,

se asnjëra s’mbet pa pjellë.

Porsi thelë shege janë mollëzat e tua

përtej vellos sate.

Gjashtëdhjetë janë mbretëresha,

tetëdhjetë shemra

e të panumërta vashat.

E pashoqe është ajo,

pëllumbesha ime, e përkryera ime,

e vetme ajo për nënën e vet,

që të dëlirë e lindi.

E shohin vashëzat

dhe e quajnë të lume.

Mbretëreshat e shemrat

lavde asaj i thurin.

10 «Kush është kjo, që del si agu,

e bukur si hëna e plotë,

e çiltër porsi dielli,

madhështore si flamujt e shpalosur?».

Ajo

11 Zbrita në kopshtin e arrave

të shihja në vaun e bleruar

në kish buluar hardhia

e shegët në kishin çelur.

12 S’di se si m’u ënd të rrija

në qerren e popullit tim fisnik.