Ai
1 Hyra në kopshtin tim,
o motërza ime, nuse,
mblodha mirrën time e vajin erëmirë,
nga hualli im mjaltin hëngra
e verën time piva
bashkë me qumështin tim.
Hani ju, o miq,
pini e dehuni, o të dashur.
Poema e katërt
Ajo
2 Flija unë, por zemra s’po më flinte.
Trokëllimë! I shtrenjti im troket!
«Hapma derën, motra ime, mikja ime,
pëllumbesha ime, e përkryera ime,
se plot vesë unë kokën kam,
me lagshtën e natës dredhat më janë mbushur!».
3 «Po unë këmishën e kam zhveshur,
si ta vesh unë prapë?
Po unë këmbët i kam larë,
si t’i ndot unë prapë?».
4 I shtrenjti im dorën në vrimë e shtiu
e krejt u meka unë.
5 U ngrita, të shtrenjtit derën t’i hap,
e duart mirrë më rridhnin,
gishtat mirrë më pikonin
përmbi vegët e kajnacës.
6 Të shtrenjtit tim ia hapa,
por kish shkuar i shtrenjti im,
gjetiu ai kish ikur
e sa s’më la fryma, që kish ikurç.
E kërkova, por s’e gjeta,
i bëzajta, por nuk më gjegji.
7 Rojtarët, që qytetit enden,
më kapën mua e më rrahën,
më lënduan e më zhveshën
rojtarët e mureve.
8 Ju përbej, o bijat e Jerusalemit,
po e gjetët të shtrenjtin tim,
ja se ç’do t’i thoni:
më ligu dashuria.
Mikeshat
9 Ç’ka më shumë i shtrenjti yt,
o e bukura ndër gra?
Ç’ka më shumë i shtrenjti yt,
që kështu po na përben?
Ajo
10 Shndrin e kuqëlon i shtrenjti im,
ai spikat ndër një mijë vetë.
11 Kryet e tij, ar i kulluar,
flokët e tij, dredha-dredha,
janë të zinj si penda e korbit,
12 sytë e tij porsi pëllumbat
ndanë çurgut të ujërave,
larë në qumësht
e ndenjur shtruar.
13 Faqet e tij si lehe erëzash,
pirgje erëmirë buzët e tij,
lilakë që vesojnë, mirrë që çurgon.
14 Duart e tij si rrathë të artë,
me margaritarë dendur.
Barku i tij enë fildishi,
mbuluar me safirë.
15 Këmbët e tij shtylla mermeri,
mbi themele ari të pastër.
Nga të pamët është si Libani,
si cedrat më të mirë.
16 Ëmbëltim prej goje i del
e është i tëri i dëshirueshëm.
Ja, ky është i shtrenjti im,
o bijat e Jerusalemit,
e ky është miku im.