Kënga e këngëve 4

Ai

Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je!

Si pëllumba sytë e tu

për nën vellon tënde,

flokët e tu si tufë dhish,

shpatit të Gileadit,

dhëmbët e tu si tufë delesh të qethura,

të gjitha dalë nga larja,

mbarsur me binjakë,

se asnjëra s’mbet pa pjellë.

Porsi fije të kuqe janë buzët e tua

e joshëse goja jote.

Porsi thelë shege janë mollëzat e tua

për nën vellon tënde.

Qafa jote, si kulla e Davidit,

ndërtuar me shtresa,

ku varen një mijë shqyte

me tërë mburojat e burrave trimoshë.

Dy gjinjtë e tu si dy kaproj

binjakë të drenushës,

kullotës ndër lilakë.

Pa pushuar era e ditës

e para se të zhduken hijet,

do të shkoj mbi malin e mirrës

e mbi kodrën e temjanit.

Krejt e bukur je, o mikja ime,

e asnjë të metë ti s’ke.

Me mua, o nuse,

me mua nga Libani eja,

zbrit nga maja e Amanasë,

nga majat e Senirit e Hermonit,

nga strofujt e luanëve,

nga malet e leopardëve.

Ti ma vodhe zemrën,

motërza ime, nuse,

ti ma vodhe zemrën

veç me një shikim,

veç me njërin varg

të gushores sate.

10 Sa të këndshme janë

ato dhelet e tua,

o motërza ime, nuse!

Më dehëse se vera

janë dhelet e tua.

Të mermë vajrat e tu

mbi të gjitha erëzat.

11 Buzët e tua si hoje pikojnë, o nuse,

nën gjuhë mjaltë ke e qumësht,

porsi erë Libani era e petkut tënd.

12 Kopsht i ndryrë je ti, o motërza ime, nuse,

kopsht i ndryrë je ti e gurrë e vulosur.

13 Njomëzat e tua janë kopsht shegësh

me fryte të zgjedhura, me këna e nard,

14 me nard e shafran,

shavar e kanellë,

me çdo bimë temjani, mirre, aloeje

e me tëra kryeerëzat.

15 Burimi i kopshtit,

gurra e ujit të gjallë

që rrjedh nga Libani!

Ajo

16 Ngrihu, o murrlan,

eja ti, o jugë,

fryni në kopshtin tim,

që t’i përhapen erëzat

e brenda kopshtit të vet

të vijë i shtrenjti im

e t’i hajë ai

frytet më të mira.