Kënga e këngëve 3

Dëshira për të dashurin

Netëve, mbi shtrojën time, e kërkova

atë që me gjithë shpirt e dua.

E kërkova, por s’e gjeta.

Do të ngrihem, pra,

qytetit ndër udhë e sheshe të endem,

atë që me shpirt e dua, ta kërkoj.

E kërkova, por s’e gjeta.

Më hasën rojtarët, tek silleshin qytetit.

«A e patë kund atë që me shpirt e dua?».

Fill sa i kalova, e gjeta unë

atë që me shpirt e dua.

E rroka e nuk do ta lëshoj

pa e shtënë në shtëpi të nënës sime,

në dhomën e asaj që më ngjizi.

Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit,

pash sorkadhet a sutat e fushës:

mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë

deri kur t’ia ketë ënda.

Poema e tretë

Kori

Ç’është ajo që shkretëtirës ngjitet

porsi shtëllungat e tymit

me mirrë e temjan erëzuar

e me çdo pudër që shitet?

Ja, bartorja e Solomonit!

Gjashtëdhjetë trima e rrethojnë,

ndër më të fortët e Izraelit.

Të gjithë shpatën vringëllojnë

e për luftë janë të ushtruar,

shpatën ngjeshur e mbart secili

kundër lemerisë së natës.

Një vig bëri për vete Solomoni

me drurë prej Libani.

10 Këmbët prej argjendi i bëri,

shpinëzën prej ari e ndenjësen të purpurt,

me dashuric brenda qëndisur

nga bijat e Jerusalemit.

11 Dilni e shihni, o bijat e Sionit,

mbretin Solomon,

me kurorën që e ëma i vuri

atë ditë kur u martua,

atë ditë kur zemra iu gëzua.


 c3.10 të tjerë: me ebanoz